Last Updated on 08/07/2026 by EL
Temperaturat e larta që godasin qytetet gjatë verës mund të zbuten ndjeshëm përmes më shumë hapësirave të gjelbra dhe më pak asfalt. Ky është përfundimi i projektit shkencor Mirificus, i cili tregon se pyllëzimi urban, heqja e sipërfaqeve të asfaltuara dhe përdorimi i materialeve që reflektojnë rrezet e diellit mund të ulin temperaturën deri në 4 gradë Celsius gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Studimi, i koordinuar nga Instituti për Bioekonominë i Këshillit Kombëtar të Kërkimeve të Italisë (CNR-Ibe), në bashkëpunim me ISPRA dhe me mbështetjen e Agjencisë Hapësinore Italiane (ASI), analizoi efektin e këtyre ndërhyrjeve në dy zona pilot: Settecamini në Romë dhe Mercafir/Piazza Artom në Firence.
Rezultatet tregojnë se ndërhyrjet mund të ulin temperaturat me më shumë se 4°C nga ora 09:00 deri në 15:00, ndërsa gjatë gjithë ditës efekti ftohës mbetet i qëndrueshëm, me një ulje mesatare prej 2–2,2°C.
Sipas studiuesve, fenomeni i njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane” shkaktohet nga sipërfaqet e mëdha të asfaltit dhe betonit, të cilat thithin dhe ruajnë nxehtësinë. Analiza e temperaturave sipërfaqësore në qytetet italiane për periudhën 2013–2023 tregon se pothuajse të gjitha qendrat urbane kalojnë pragun e 40°C gjatë verës.
Studimi evidenton gjithashtu se zonat rurale janë mesatarisht 5,6°C më të freskëta se qendrat e urbanizuara. Rekordin e mban Napoli, ku diferenca mes qytetit dhe zonave përreth arrin në 9,4°C.
Një tjetër përfundim i rëndësishëm është se shpërndarja e nxehtësisë nuk është rastësore. Forma e ndërtesave, lartësia e tyre, dendësia e ndërtimit dhe materialet e përdorura krijojnë atë që studiuesit e quajnë “ADN-ja klimatike” e një lagjeje.
Në Romë, zonat industriale me magazina dhe sipërfaqe të gjera të ekspozuara ndaj diellit arrijnë temperatura deri në 57,2°C. Në të kundërt, lagjet e Firences që kanë pyje urbane regjistrojnë temperatura rreth 35,9°C, gati 9 gradë më të ulëta falë efektit natyror ftohës të gjelbërimit.
Interesant është edhe rasti i Barit, ku, ndryshe nga shumica e qyteteve, zonat rurale rezultojnë më të nxehta se vetë qyteti. Studiuesit e lidhin këtë fenomen me ndikimin freskues të detit, përdorimin e gurëve me ngjyrë të çelët në qendrën historike dhe tharjen e tokave bujqësore gjatë verës, të cilat nxehen më shumë se zonat urbane.
Për ta kthyer kërkimin në një mjet praktik, projekti ka zhvilluar edhe një platformë dixhitale me harta interaktive, e cila u mundëson bashkive të analizojnë temperaturat në territorin e tyre dhe të simulojnë efektin e ndërhyrjeve të gjelbra përpara se ato të zbatohen.
Sipas autorëve të studimit, rezultatet tregojnë se lufta kundër vapës ekstreme nuk kërkon vetëm më pak beton, por edhe një planifikim urban më inteligjent, me më shumë pemë, më shumë sipërfaqe të gjelbra dhe materiale që ndihmojnë në uljen e temperaturave. Këto masa jo vetëm e bëjnë qytetin më të freskët, por edhe ulin rrezikun për shëndetin e banorëve dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.
