Last Updated on 08/07/2026 by EL
Një zbulim i pazakontë në brigjet e Japonisë ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve dhe ka nxjerrë në pah edhe një herë pasojat e fshehta të ndotjes nga plastika në det.
Gjatë një ekspedite pranë ishullit Sesoko, në prefekturën e Okinawas, studiues nga Universiteti i Hiroshimës gjetën një gaforre të gjallë brenda një shisheje plastike. Ajo që e bëri rastin të jashtëzakonshëm ishte fakti se hapja e shishes ishte vetëm 24 milimetra, ndërsa gaforrja kishte arritur një gjerësi prej 8,8 centimetra, çka e bënte të pamundur daljen e saj. Për të zbuluar se si kishte përfunduar aty, studiuesit kryen analiza të ADN-së dhe të përmbajtjes së stomakut të kafshës. Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore Ecosphere, treguan se gaforrja kishte hyrë në shishe kur ishte ende e vogël dhe kishte vazhduar të rritej brenda saj. Analizat zbuluan se ajo ishte ushqyer me peshq të vegjël dhe alga që hynin në shishe, ndërsa në pjesën e jashtme të saj ishin zhvilluar organizma detarë, të cilët u ndihmuan studiuesve të llogarisnin se shishja kishte qëndruar duke lundruar në det për të paktën disa muaj.
Sipas ekspertëve, ndërsa gaforrja rritej, trupi i saj u bë shumë i madh për të kaluar përmes grykës së ngushtë të shishes, duke e kthyer atë në një “burg” nga i cili nuk mund të shpëtonte.
Studiuesit theksojnë se ky rast është një shembull i qartë i dëmeve të padukshme që shkakton ndotja nga plastika në ekosistemet detare. Edhe pse kjo gaforre pati fatin të mbijetonte dhe të shpëtohej nga njerëzit, shumë kafshë të tjera nuk arrijnë t’u mbijetojnë kurtheve të ngjashme të krijuara nga mbetjet plastike që përfundojnë në oqeane.
