Greqia ka shprehur shqetësim për mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i shesin Turqisë avionë luftarakë F-35, duke kërkuar që çdo vendim të merret duke pasur parasysh sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor.
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, deklaroi se Athina nuk do të ishte e kënaqur nëse Ankaraja do të rikthehej në programin e avionëve F-35 dhe do të siguronte edhe motorë për avionë të gjeneratës së re.
“Greqia nuk është e lumtur që Turqia të marrë F-35. Por nuk është detyra jonë të gjykojmë se çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe kujt po ia shesin. Pyetja jonë është nëse kjo është në interesin e vërtetë të SHBA-së”, tha Dendias gjatë një konference të organizuar nga “Economist” në Athinë.
Ai theksoi se çdo vendim duhet të marrë në konsideratë marrëdhëniet brenda NATO-s dhe garancitë që një pajisje e tillë ushtarake të mos përdoret kundër një vendi tjetër aleat./ad
