Në mesin e viteve ’60, kur Europa ende po përpiqej të linte pas plagët e Luftës së Dytë Botërore dhe të ndërtonte një identitet të përbashkët, një emision televiziv u shndërrua në simbol të afrimit mes popujve. “Lojërat pa Kufij” (Jeux sans Frontières), që debutoi në vitin 1965, nuk ishte thjesht një spektakël argëtues me gara komike dhe kostume të çuditshme, por një projekt që synonte të promovonte frymën e bashkëpunimit europian.
Pas idesë së programit qëndronte vizioni i presidentit francez Charles de Gaulle, i cili besonte se integrimi europian nuk mund të mbështetej vetëm te marrëveshjet politike dhe ekonomike. Sipas tij, qytetarët duhej të ndiheshin pjesë e së njëjtës Europë edhe përmes kulturës, argëtimit dhe aktiviteteve të përbashkëta. Frymëzimi erdhi nga emisioni italian “Campanile Sera”, i cili më pas u zhvillua në Francë si “Intervilles” dhe mori përmasa ndërkombëtare nën organizimin e Unionit Europian të Transmetuesve (EBU).
Formati ishte i thjeshtë, por shumë tërheqës. Çdo javë, qytete nga vende të ndryshme europiane përballeshin në prova argëtuese me pengesa, gara në ujë dhe sfida që kërkonin shkathtësi, koordinim dhe punë në grup. Pjesëmarrësit ishin qytetarë të zakonshëm – studentë, punëtorë, sportistë amatorë dhe banorë të komuniteteve lokale – ndërsa garat transmetoheshin njëkohësisht në disa vende përmes rrjetit Eurovision.
Një nga elementët më karakteristikë të programit ishin arbitrat zviceranë Gennaro Olivieri dhe Guido Pancaldi, të cilët u bënë figura ikonike të emisionit. Me numërimin e tyre të famshëm “Attention… trois, deux, un…”, ata garantonin zhvillimin e garave me paanshmëri, duke u kthyer në një simbol të vetë spektaklit.
Italia ishte një nga katër vendet themeluese, së bashku me Francën, Gjermaninë Perëndimore dhe Belgjikën. Ajo mori pjesë në të gjitha edicionet kryesore dhe arriti të fitonte katër herë trofeun, në vitet 1970, 1978, 1991 dhe 1999. Emra të njohur të televizionit italian, si Rosanna Vaudetti, Ettore Andenna dhe Milly Carlucci, shoqëruan publikun përgjatë viteve të suksesit të programit.
Megjithatë, në fund të viteve ’90, kostot e larta të organizimit dhe ndryshimet në industrinë televizive çuan në mbylljen e formatit. Reality show-t dhe programet me ritëm më të shpejtë zunë vendin e spektakleve familjare që kishin karakterizuar dekadat e mëparshme.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë dekada nga transmetimi i parë, “Lojërat pa Kufij” mbeten një nga projektet televizive më të suksesshme në historinë e Europës. Për miliona shikues, ato dëshmuan se bashkimi mes popujve mund të ndërtohej jo vetëm përmes politikës dhe diplomacisë, por edhe përmes lojës, argëtimit dhe një gare miqësore që kapërcente çdo kufi./kb
