Një emigrant meksikan, Lorenzo Salgado Araujo, u vra nga agjentët federalë të imigracionit në Houston gjatë një ndalimi me automjet, por Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve (DHS) deklaroi se ai nuk ishte objektivi i operacionit të arrestimit.
Sipas raportimeve, agjentët e Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE) po kërkonin dy persona nga Guatemala. Gjatë operacionit ata ndaluan një furgon të bardhë, ku ndodhej Salgado Araujo, i cili kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara për 35 vjet.
Salgado Araujo po shkonte në punënë mëngjesin e së martës dhe në automjet kishte edhe tre persona të tjerë. Pas përplasjes me agjentët, ai u qëllua dhe më pas vdiq në spital nga plagët në bark.
Tre personat që ndodheshin me të u arrestuan nga autoritetet e emigracionit. Njëri prej tyre është identifikuar nga aktivistët si Victor Hugo Salgado Araujo, vëllai i viktimës, i cili sipas raportimeve, ndodhet ende në një qendër paraburgimi për emigracionin.
Një zyrtar i DHS-së tha se agjentët kishin marrë informacion nga forcat lokale të rendit për adresën ku besohej se ndodheshin personat në kërkim. Sipas tij, më herët ishin vërejtur dy furgonë të bardhë në atë zonë.
“Agjentët ishin pothuajse te adresa e objektivit kur panë një furgon të bardhë me një person që ngjante me objektivin”, tha zyrtari i DHS-së.
Megjithatë, deklarata e autoriteteve nuk sqaron se çfarë ndodhi menjëherë pas ndalimit të automjetit dhe para të shtënave. DHS bëri të ditur se agjentët e përfshirë në incident nuk kishin kamera trupore gjatë operacionit./mxh
