Para se të rritemi, të bëhemi më të fortë apo të rikuperojmë muskujt pas aktivitetit fizik, trupi ka nevojë për një gjë thelbësore: gjumë cilësor. Një studim i ri ka zbuluar mekanizmin në tru që lidh gjumin e thellë me çlirimin e hormonit të rritjes, duke shpjeguar pse pushimi i mirë është aq i rëndësishëm për zhvillimin dhe shëndetin.
Shkencëtarët kanë identifikuar qarkun nervor që kontrollon çlirimin e hormonit të rritjes gjatë gjumit. Ky hormon është vendimtar për ndërtimin e muskujve dhe kockave, rigjenerimin e indeve, rritjen në gjatësi, metabolizmin e yndyrnave dhe funksionimin e trurit. Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Cell, ndihmon të kuptojmë më mirë lidhjen mes gjumit dhe proceseve kryesore të organizmit.
Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley zhvilluan eksperimente te minjtë laboratorikë, duke monitoruar aktivitetin e neuroneve në hipotalamus, pjesa e trurit që koordinon sistemin nervor dhe atë hormonal. Ata zbuluan se dy hormone, GHRH dhe somatostatina, rregullojnë çlirimin e hormonit të rritjes në mënyra të ndryshme gjatë fazave të ndryshme të gjumit.
Gjatë gjumit REM, faza ku ndodhin ëndrrat më intensive, rriten nivelet e të dy hormoneve, duke nxitur një çlirim më të madh të hormonit të rritjes. Ndërsa gjatë gjumit të thellë jo-REM, somatostatina bie dhe GHRH mbetet aktiv, duke vazhduar stimulimin e prodhimit të hormonit të rritjes.
Studimi zbuloi gjithashtu një mekanizëm të papritur: ndërsa hormoni i rritjes grumbullohet gjatë natës, ai aktivizon locus coeruleus, një zonë e trurit e lidhur me vigjilencën dhe përqendrimin, duke favorizuar zgjimin. Nga ana tjetër, kur aktiviteti i kësaj zone bëhet shumë i lartë, ai fillon të nxisë sërish përgjumjen, duke krijuar një sistem të balancuar mes gjumit dhe zgjimit. Sipas autorëve të studimit, ky ekuilibër është thelbësor. Mungesa e gjumit ul çlirimin e hormonit të rritjes, ndërsa nivelet e tepërta të këtij hormoni mund ta shtyjnë trurin drejt zgjimit. Pikërisht kjo ndërveprim ndihmon në rritjen normale, riparimin e indeve dhe ruajtjen e shëndetit metabolik. Shkencëtarët besojnë se ky zbulim mund të hapë rrugën për zhvillimin e terapive të reja që synojnë përmirësimin e cilësisë së gjumit dhe trajtimin e çrregullimeve neurologjike e metabolike. Njohja më e mirë e mekanizmit që kontrollon hormonin e rritjes mund të ndihmojë gjithashtu në luftën kundër obezitetit, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat shpesh lidhen me mungesën kronike të gjumit cilësor.
