Nga Auron Tare
Në kohën kur ambasadore amerikane në Tiranë ishte M.R., për herë të parë kuptova ndikimin e asaj që sot quhet review.
Ambasadorja, ndoshta zyrtarja më e kulturuar që ka punuar ndonjëherë në Shqipëri, më kërkoi të vizitonte Butrintin. Me kënaqësi organizova një vizitë të thjeshtë. Ndër të tjera, bëmë edhe një shëtitje me varkë në liqen drejt Vilës Romake të Diaporitit. Përveç stafit të saj, ambasadorja kishte me vete bashkëshortin, edhe ai ambasador, si dhe fëmijët.
Në kthim për në Sarandë, ku do të kalonte natën, vura re se ishte akomoduar në një hotel modest të qytetit. Në atë kohë pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë qëndronin në hotelin kryesor të Sarandës. Ambasadorja jo.
I habitur, e pyeta pse kishte zgjedhur atë hotel dhe jo hotelin më të njohur.
Është në listën negative të ambasadës, – m’u përgjigj qetësisht.
Kjo ngjarje më ka mbetur në kujtesë.
Ambasadorja nuk bëri asnjë koment për pronarët e hotelit dhe nuk përsëriti asnjë nga thashethemet që qarkullonin atëherë. Me një elegancë tipike diplomatike, ambasada kishte vendosur thjesht të mos e përdorte atë hotel.
Kjo më erdhi ndër mend sot, ndërsa po ndjek debatin mbi atë që po quhet “lufta e review-ve”.
Ndoshta ky episod jep edhe një mësim të thjeshtë. Nëse besoni se një biznes shfrytëzon të mitur, ka lidhje me krimin e organizuar, i shërben pushtetit apo shet produkte që i konsideroni të rrezikshme për konsumatorët, mënyra më e qytetëruar për të shprehur pakënaqësinë është ta bojkotoni. Mos blini produktet e tij, mos përdorni shërbimet e tij dhe mos e rekomandoni.
Ky është një review më i fortë se çdo koment në internet, sepse shprehet me zgjedhjen tuaj si konsumator.
Kaq e thjeshtë.