Gaby Hinsliff
Kryeministri i ri do të ketë nevojë për një ministër të Jashtëm të jashtëzakonshëm dhe për aftësinë për të bashkuar vendet me mendësi të ngjashme. Shenjat e para sugjerojnë se ai mund t’i ketë këto cilësi.
Tashmë gjithçka ka filluar të duket shumë reale. Të paktën kështu u shpreh Andy Burnham në ditën kur, praktikisht, u bë kryeministri zyrtar në pritje i Britanisë – një moment njëherësh dehës dhe kthjellues.
Dokumentet janë firmosur, fati është vulosur. Keir Starmer ende nuk është larguar nga Downing Street, por partia e tij tashmë flet për të sikur ai të mos dëgjonte më. Të premten, Burnham bëri ndarjen e parë të fortë me paraardhësin e tij, duke kërkuar falje – mbi kokën e Starmerit – për mënyrën se si Laburistët e trajtuan luftën në Gaza. Sipas tij, qeveria duhej të kishte kërkuar armëpushim shumë më herët dhe tani duhet të shtojë presionin ndaj Izraelit.
Meqenëse Ministria e Jashtme po shqyrton tashmë sanksione të tjera, kjo është ndoshta më pak një ndryshim dramatik i politikës së jashtme sesa një ndryshim i tonit të politikës së brendshme. Duke pranuar zemërimin e madh të krahut të majtë për Gazën – zemërim që pa dyshim shtyu një pjesë të votuesve laburistë drejt Partisë së Gjelbër – Burnham po sinjalizon se, për mirë apo për keq, ai do ta dëgjojë bazën shumë më tepër sesa Starmer. (Megjithëse disa nuk do të kënaqen derisa ai ta quajë luftën gjenocid dhe të ndalojë shitjen e armëve.)
Por, si çdo përpjekje për ta ashpërsuar qëndrimin britanik ndaj Izraelit, kjo ngre edhe pyetje interesante për marrëdhënien e tij me Shtëpinë e Bardhë.
Si do të sillet në detyrë njeriu që Donald Trump e përçmoi dikur si “kryebashkiaku i një qyteti”, përballë këtij presidenti thuajse të pamundur?
Nga njëra anë, vazhdimësia mbetet. Këtë javë Burnham u angazhua për objektivin e NATO-s që shpenzimet për mbrojtjen të arrijnë në 3.5% të PBB-së, edhe pse nuk shpjegoi se si do të financohen. Ai gjithashtu konfirmoi se Jonathan Powell do të mbetet këshilltar për sigurinë kombëtare.
Por Burnham merr detyrën në një moment kritik për marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, po u thotë të gjithëve – përfshirë ekipin e Burnhamit, me të cilin ka lidhje të forta përmes këshilltarit Andy Haldane, ish-zëvendësit të tij në Bankën e Anglisë – se Amerika e vjetër nuk do të kthehet më. Madje edhe Giorgia Meloni, dikur ndër të preferuarat e Trumpit, duket se e ka humbur durimin.
Pakënaqësia ishte e dukshme në samitin e NATO-s të kësaj jave në Ankara, ku Trump kërcënoi se do të ndalonte tregtinë me Spanjën nëse ajo nuk pranonte të rriste shpenzimet ushtarake; rikonfirmoi dëshirën për të marrë në zotërim Groenlandën; dhe hodhi poshtë armëpushimin e brishtë në Gjirin Persik duke rifilluar bombardimet ndaj Iranit.
Edhe më shqetësuese sesa rritja e çmimit të naftës është mundësia e një konflikti të ri të vazhdueshëm në Gjirin Persik – ekuivalenti ushtarak i luftërave tregtare të Trumpit, që nisin e ndalen sipas humorit të tij, pa shumë respekt për normat ndërkombëtare apo interesat e aleatëve.
Në librin e tij të ri “Dhjetë hapa për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore”, ish-ministri britanik i Jashtëm dhe ish-ushtaraku Tobias Ellwood përshkruan një të ardhme ku konflikte të tilla janë bërë rutinë.
Libri hapet në vitin 2040 dhe imagjinon Perëndimin duke parë pas me keqardhje mundësitë e humbura në mesin e viteve 2020 për të shmangur katastrofën.
Në këtë skenar, deri në vitin 2040 është tepër vonë. Shkatërrimi nga Trump i rendit botëror të bazuar mbi rregulla i ka hapur rrugën Kinës të mbushë boshllëkun, duke krijuar një rend të ri përmes aleancave strategjike me Rusinë dhe vende të tjera, të mbështetur mbi shtrëngimin, destabilizimin dhe sulmet e fshehta.
“Lufta e Tretë Botërore” e Ellwood-it nuk është një konflikt i vetëm global, por një seri luftërash lokale dhe përfaqësuese në mbarë globin, që krijojnë një klimë të përhershme pasigurie dhe dhune, ku edhe tabu të tilla si përdorimi i armëve bërthamore taktike shkelen rregullisht.
Groenlanda ka humbur, NATO është shpërbërë dhe qeveritë perëndimore janë reduktuar në administrimin e rënies së tyre. Fatkeqësitë klimatike dhe epidemitë shkaktojnë pasoja shumë më të rënda, sepse shtetet nuk bashkëpunojnë më kundër kërcënimeve të përbashkëta.
Vetë Ellwood thekson se ky është vetëm një skenar i mundshëm, jo një parashikim. Megjithatë, ai tingëllon mjaftueshëm i besueshëm për të qenë shqetësues.
Receta e tij për ta shmangur këtë fillon me përcaktimin e qartë të atyre elementeve të rendit ndërkombëtar që Perëndimi dëshiron të mbrojë dhe më pas me krijimin e një blloku shtetesh me të njëjtat vlera.
Ai propozon rikthimin në tregun e përbashkët evropian, ndarjen e teknologjisë së energjisë së rinovueshme me vendet më të varfra, zgjerimin e pjesëmarrjes ushtarake evropiane në forcat e dislokimit të shpejtë dhe krijimin e një “aleance stabiliteti” mes fuqive të mesme – nga Evropa te Kanadaja, e nga India te Brazili – të përqendruar te parandalimi i hershëm dhe ulja e tensioneve përpara se konfliktet të shndërrohen në luftë të hapur.
Kjo axhendë nuk bie ndesh me profilin e Burnhamit, i cili si kryebashkiak u dallua për aftësinë për të ndërtuar aleanca dhe që edhe në politikën e brendshme predikon ndërhyrjen e hershme.
Por mbetet pyetja: deri ku duhet të shkojë ai në përballjen me njeriun që kjo strategji synon ta frenojë?
Argumenti për të mbajtur marrëdhënie të mira me Trumpin ka qenë gjithmonë se prej tyre vareshin jetë njerëzish. Ukraina kishte nevojë për ndihmën amerikane kundër Rusisë. Evropa kishte nevojë për kohë për t’u riarmatosur. Ndërsa Britania mbështetet ende shumë te Uashingtoni për parandalimin bërthamor dhe shkëmbimin e informacionit sekret.
Por kërcënimi i përsëritur ndaj Groenlandës këtë javë bindi shumë liderë evropianë se diçka duhet të ndryshojë.
Ukraina ende ka nevojë për ndihmën amerikane, por më pak se më parë, pasi ka zhvilluar industrinë e vet të mbrojtjes. Ndërkohë, Bashkimi Evropian është ai që paguan armët që furnizon Uashingtoni – një marrëveshje me të cilën Trump duket i kënaqur, siç u pa edhe nga lavdërimet që ai bëri këtë javë për sulmet e guximshme me dronë të Ukrainës brenda territorit rus.
Starmer nuk gaboi kur bëri ato vizita pothuajse servile në Uashington. Ai mund të jetë krenar që ndihmoi në blerjen e kohës për Ukrainën, e cila e shfrytëzoi atë me zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm, si edhe për fqinjët e saj.
Ironikisht, vendi që e shpërdoroi atë periudhë ishte vetë Britania. Duke mos ia shpjeguar kurrë publikut pse duheshin rritur shpenzimet ushtarake dhe si do të financoheshin ato, Starmer ia lë tani këtë barrë pasardhësit të tij ende pa përvojë, së bashku me vendime historike mbi marrëdhënien speciale me SHBA-në.
Nëse Burnham e ka seriozisht kur thotë se do t’u kushtojë më pak kohë çështjeve ndërkombëtare sesa “Keir-i që nuk ishte kurrë këtu”, atëherë do t’i duhet një ministër i Jashtëm i jashtëzakonshëm. Emri i David Miliband po përmendet gjithnjë e më shpesh.
Por mbi të gjitha, Burnham do të duhet të zotërojë diçka që Starmer nuk e arriti: atë që një ish-ministër i Jashtëm e quan “arti i titrimit” – matjen me saktësi të dozës së çdo ndryshimi politik apo gjesti simbolik, aq sa të prodhojë efektin e dëshiruar, por jo më shumë.
Të jetë mjaftueshëm i vendosur për Gazën që të mos duket bashkëfajtor moralisht, por pa mohuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Të mos jetë shumë pranë Trumpit, por as aq larg sa të dëmtojë interesat britanike.
Në çdo rast, kufiri midis suksesit dhe dështimit mund të jetë fare i hollë. Dhe nga mënyra se si do të ecet mbi këtë vijë mund të varet nëse, në vitin 2040, fëmijët tanë do të kenë apo jo arsye ta shohin me keqardhje këtë periudhë të historisë. Burnham ka të drejtë për një gjë: më reale se kaq nuk bëhet.
