Një paralajmërim i gazetarit investigativ francez Romain Molina ka sjellë panik për futbollin argjentinas. Përmes një postimi në rrjetin social X, Molina deklaroi se po përgatit publikimin e një hetimi që sipas tij mund të zbulojë një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit.
Ai pretendon se në qendër të çështjes ndodhet ajo që e quan “mafia e futbollit argjentinas”, ndërsa shton se rasti është mbajtur i fshehtë nga FIFA.
Deri tani, gazetari nuk ka publikuar prova apo dokumente që mbështesin këto akuza. Në të njëjtën kohë, mediat argjentinase raportojnë se FBI dhe prokurorë federalë në Florida po hetojnë disa transaksione financiare të lidhura me Federatën Argjentinase të Futbollit.
Dyshimet lidhen me pastrim parash, mashtrim elektronik dhe evazion fiskal në lëvizje financiare që pretendohet se arrijnë në qindra milionë dollarë.
Megjithatë, nuk ka akuza zyrtare, përfundime hetimore apo lidhje të konfirmuara mes këtyre çështjeve dhe pretendimeve të ngritura nga Molina./kb
