**
Kafshët e specieve të ndryshme komunikojnë me njëra-tjetrën shumë më shpesh sesa mendohej. Një analizë e gjerë shkencore, e botuar në revistën Animal Behaviour, ka mbledhur rezultatet e rreth 60 studimeve dhe tregon se shkëmbimi i informacionit mes specieve është një fenomen i përhapur në natyrë.
Sipas studiuesve, kjo formë komunikimi shërben kryesisht për bashkëpunim dhe përfitim të ndërsjellë. Disa kafshë bashkërendojnë veprimet për të siguruar ushqim, ndërsa të tjera shkëmbejnë shërbime ose mbrojtje nga grabitqarët.
Shembujt janë të shumtë. Derrat e egër afrikanë përdorin poza të veçanta për t’i ftuar zogjtë t’u pastrojnë parazitët, ndërsa peshqit pastrues sinjalizojnë grabitqarët se nuk janë pre, por ndihmues. Në Afrikë, zogjtë udhërrëfyes i çojnë njerëzit drejt koshereve të bletëve përmes këngës së tyre, duke përfituar më pas nga mbetjet e mjaltit.
Një nga rastet më të veçanta është ai i disa larvave të fluturave, të cilat përdorin dridhje dhe sinjale kimike për t’i bindur milingonat të mos i hanë. Ndërkohë, në disa zona të botës, delfinët u tregojnë peshkatarëve vendin ku duhet të hedhin rrjetat për të kapur peshq, duke përfituar edhe vetë nga gjuetia. Studiuesit kanë zbuluar se këto sinjale ndryshojnë nga një rajon në tjetrin, duke krijuar një lloj “dialekti” lokal mes delfinëve dhe njerëzve.
Autorët theksojnë se komunikimi mes specieve nuk kufizohet vetëm te sinjalet vizuale. Tingujt, dridhjet dhe sinjalet kimike luajnë gjithashtu një rol thelbësor dhe janë shpesh po aq të rëndësishme sa ato që mund të shihen me sy./kb
