13 korrik 1793
Nga Leonard Veizi
Më 13 korrik 1793, në kulmin e Terrorit që kishte mbytur Francën në gjak, u shua një nga figurat më të përgjakshme të epokës. Zhan-Pol Mara u vra në vaskën e banesës së tij nga Sharlot Korde, një xhirondine e bindur se vetëm vdekja e tij mund t’i vinte fre gijotinës. Ironia e historisë: atentati nuk e ndali dhunën. E shenjtëroi. E shndërroi Maranë në martir të paprekshëm të revolucionit.
Mara nuk ishte thjesht politikan. Ishte mjek, studiues, teoricien dhe, mbi të gjitha, gazetar. E kuptoi herët se një penë e mprehtë vret më shumë se një batalion. Përmes gazetës “Miku i Popullit” — L’Ami du Peuple — ai gjykoi, dënoi dhe ekzekutoi me bojë. Sulmonte aristokratë, “tradhtarë” të imagjinuar dhe çdo revolucionar që, sipas tij, kishte treguar dobësi. Retorika e tij nuk ndezte debat. Ndezte turmat. Për Maranë, revolucioni nuk njihte kompromis. Ose ishe me të, ose ishe kokë për gijotinë.
Pamja e tij ishte pasqyrë e epokës: e sëmurë. I brejtur nga një sëmundje kronike e lëkurës, kalonte orë të tëra në vaskë me ujë medicinal. Ajo vaskë ishte redaksi dhe gjykatë. Aty shkruante artikujt. Aty firmoste lista vdekjeje. Dhe pikërisht aty e gjeti Sharlot Korde. I fitoi besimin me pretekstin se sillte emra “armiqsh të Republikës”. Pastaj e qëlloi me thikë në kraharor. Zhak-Lui Davidi e ngriu atë çast në pikturë. E nxori Maranë nga vaska dhe e futi në altar. E bëri shenjt laik të jakobinëve.
Për ithtarët, sakrificë sublime. Për armiqtë, kasapi që ushqeu gijotinën me bojë. Ndoshta të dyja palët kanë të drejtë. Historia rrallë prodhon engjëj apo djaj të pastër. Prodhon njerëz që janë të dyja bashkë.
Në fund, Mara mbetet mësimi më i zymtë për gazetarinë: pena nuk është kurrë e pafajshme. Kur pushon së kërkuari të vërtetën dhe nis të kërkojë koka, ajo nuk është më penë. Është gijotinë. Por vrasja e tij tregon edhe anën tjetër: pushteti ka frikë vdekjeje nga fjala. Aq frikë sa paguan me gjak për ta heshtur.
Më shumë se dy shekuj më pas, Zhan-Pol Mara na përplas në fytyrë të njëjtën pyetje: deri ku shkon një gazetar kur ideologjia e ha etikën? Dhe deri ku shkon pushteti kur i trembet një njeriu të sëmurë që shkruan nga një vaskë?
