Last Updated on 14/07/2026 by Anisa
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka vlerësuar si një moment historik mbylljen e përkohshme të tre kapitujve të parë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha u shpreh se ky zhvillim pasqyron transformimin e vendit dhe rezultatet e punës së institucioneve shqiptare në procesin e integrimit europian.
Ministri publikoi një kronologji të disa prej momenteve kryesore të këtij procesi, duke nisur nga 14 tetori 2024, kur sipas tij Shqipëria nuk kishte hapur ende asnjë kapitull negociues, deri më 14 korrik 2026, kur vendi hyri në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë.
Kapitujt e mbyllur janë:
Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor
Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë
Sipas Hoxhës, më 17 nëntor 2025 Shqipëria kishte hapur të 33 kapitujt negociues, ndërsa më 26 maj 2026 u bë vendi i parë negociues që arriti IBAR sipas metodologjisë së re të procesit të zgjerimit.
“Disa data kyçe tregojnë historinë mbresëlënëse të një udhëtimi të jashtëzakonshëm. Ato që duken si data në një afat kohor janë në fakt momente historike që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, rezultat i punës së palodhur, angazhimit të vazhdueshëm institucional, vendosmërisë dhe vullnetit politik”, shkroi Hoxha.
Ministri theksoi se kur ambicia përputhet me rezultatet, progresi bëhet i matshëm dhe real, duke shtuar se “muri i zgjerimit” i Bashkimit Evropian po ndryshon sërish./ad
