Mbi 800 zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në të gjithë Kanadanë, ndërsa tymi i dendur ka përfshirë pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke detyruar autoritetet të shpallin alarme për cilësinë e rrezikshme të ajrit në disa shtete.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret Pyjore, aktualisht janë aktive 858 vatra zjarri, prej të cilave shumica janë jashtë kontrollit. Vetëm gjatë së enjtes u regjistruan edhe 30 zjarre të reja.
Tymi ka mbuluar qytete si Toronto, Detroit, Çikago, Pittsburgh, Toledo dhe Nju Jork, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda dhe të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura për shkak të rrezikut serioz për shëndetin.
Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, e cilësoi situatën si një emergjencë shëndetësore, duke deklaruar se tymi ka mbuluar pjesën më të madhe të shtetit dhe e bën shumë të rrezikshme qëndrimin jashtë. Në qytetin e Nju Jorkut, janë hapur qendra ftohjeje dhe janë shpërndarë maska mbrojtëse KN95 për banorët.
Ndërkohë, cilësia e ajrit në Detroit u rendit si më e keqja në botë nga platforma ndërkombëtare IQAir, e ndjekur nga Minneapolis, Çikago dhe Toronto.
Zjarret kanë shkaktuar edhe evakuime në veri të provincës Ontario. Banorët e disa komuniteteve indigjene janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa kryetarja e komunitetit “Namaygoosisagagun First Nation”, Helen Paavola, deklaroi se vendbanimi i saj është “shkrumbuar plotësisht”.
“Çdo shtëpi është zhdukur. Nuk ka mbetur asgjë”, u shpreh ajo pas një vëzhgimi ajror të zonës.
Për shkak të tymit, janë anuluar dhjetëra aktivitete në natyrë, përfshirë kampet verore për fëmijë, ndërsa koncerti i grupit “The Black Keys” në Çikago është shtyrë.
Meteorologët paralajmërojnë se erërat do të vazhdojnë ta transportojnë tymin drejt veriut të SHBA-së edhe gjatë fundjavës, duke ngritur shqetësime se ai mund të ndikojë edhe në zonën e Nju Xhersit, ku pritet të zhvillohet finalja e Kupës së Botës të dielën.
Ekspertët theksojnë se zjarret pyjore janë bërë më të shpeshta dhe më intensive vitet e fundit, si pasojë e ndryshimeve klimatike, temperaturave më të larta dhe tharjes së tokës. Ata paralajmërojnë se shuarja e plotë e tyre është tepër e vështirë për shkak të përmasave dhe intensitetit të flakëve./kb
