Last Updated on 17/07/2026 by Kesjana
**
Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature ngre alarmin për rritjen e ndjeshme të pluhurit saharian që transportohet drejt Europës. Sipas kërkimit, gjatë dekadës së fundit përqendrimi i këtij pluhuri në atmosferë është shtuar me 10 deri në 25% në vendet e Europës Jugore, ndërsa shkencëtarët e lidhin fenomenin me ndryshimet klimatike dhe përshpejtimin e shkretëtirëzimit në Afrikën e Veriut.
Të dhënat e studimit, të koordinuar nga Instituti Paul Scherrer në Zvicër, tregojnë se në vende si Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia përqendrimi mesatar i pluhurit saharian arrin në 5.3 mikrogramë për metër kub ajër, më shumë se dyfishi i niveleve të regjistruara në Europën Qendrore dhe Veriore.
Analiza u realizua duke kombinuar matjet e rreth 100 stacioneve monitoruese me modele të inteligjencës artificiale, të cilat mundësuan hartëzimin e shpërndarjes së grimcave në të gjithë kontinentin.
Sipas studiuesve, ndërsa ndotja nga grimcat e prodhuara nga transporti, industria dhe ngrohja e banesave ka ardhur në ulje falë politikave më të rrepta mjedisore, pluhuri që vjen nga Sahara po ndjek prirjen e kundërt.
Madje, analizat e bërthamave të akullit të marra në masivin e Monte Rosës, në kufirin mes Italisë dhe Zvicrës, tregojnë se përqendrimi i pluhurit saharian në atmosferën europiane është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i epokës industriale, rreth 150 vite më parë.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë në zgjerimin e zonave të shkretëtirës në Saharë, ndërsa ndryshimi i qarkullimit atmosferik po favorizon erëra më të forta që transportojnë sasi gjithnjë e më të mëdha pluhuri drejt Europës.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni nuk ka vetëm pasoja mjedisore. Në ditët kur përqendrimi i pluhurit saharian është i lartë, rritet rreziku për komplikacione respiratore dhe sëmundje kardiovaskulare, ndërsa ekspozimi afatgjatë lidhet me shtimin e rasteve të astmës, bronkitit kronik dhe sëmundjeve të tjera të mushkërive.
Përveç ndikimit në shëndet, pluhuri saharian ul edhe efikasitetin e paneleve diellore, pasi depozitohet mbi sipërfaqen e tyre dhe pengon thithjen e rrezeve të diellit, duke reduktuar prodhimin e energjisë.
Autorët e studimit kërkojnë forcimin e sistemeve të parashikimit të episodeve me përqendrime të larta të pluhurit saharian, në mënyrë që qytetarët, veçanërisht personat me probleme të frymëmarrjes, të marrin masa mbrojtëse në kohë./FC
