Nga Roland Lami
Java e ndërgjegjësimit. Edhe këtë u mbushën rrjetet sociale me zemra, fjongo shumëngjyrëshe dhe fjalë të mëdha për përfshirjen e personave me nevoja të veçanta. Për disa ditë sillemi sikur ky komunitet është prioritet kombëtar është në qendër të vemendjes të shoqërisë sonë. Pastaj gjithçka rikthehet në normalitetin tonë ku solidariteti ynë ndaj tyre më së shumti nuk është etikë por është estetikë. Një solidaritet fallco në funksion të imazheve të dedikuara në një kohë të caktuar dhe jo të një prokupimi të vazhdueshëm.
Nuk po flasim për një komunitet të vogël. Në Shqipëri janë të regjistruar rreth 75.000–80.000 persona me aftësi të kufizuara. Nëse kësaj shifre i shtohen familjarët, kujdestarët dhe njerëzit që ndikohen drejtpërdrejt nga realiteti i tyre, flasim për një segment që prek qindra mijëra qytetarë. Megjithatë, kjo peshë shoqërore nuk përkthehet në peshë politike dhe as në ndërgjegjësim shoqërorë . Ata pothuajse nuk përfaqësohen në institucionet vendimmarrëse, nuk janë pjesë e agjendës reale të partive dhe zakonisht kujtohen vetëm në ditët simbolike të ndërgjegjësimit për shown e radhës.
Më kujtohet një takim me eksponentë të rëndësishëm politikë ku diskutohej për përfaqësimin, programet dhe detyrimet kushtetuese e ndërkombëtare ndaj këtij komuniteti. Përgjigjja ishte thuajse në kor: “Duhet të organizohen, të lobojnë dhe të ushtrojnë presion.” Por si organizohet një komunitet kur një pjesë e mirë e ndërtesave nuk kanë rampa, kur transporti publik mbetet i paarritshëm për ta, kur trotuaret janë pengesa dhe jo rrugë kalimi, kur edhe selitë e partive politike nuk janë të aksesueshme? Si lobon dikush që mezi përballon jetesën me një ndihmë ekonomike minimale? Si proteston kur sistemi nuk të lejon as të jesh fizikisht i pranishëm në hapësirën publike? T’u kërkosh presion politik njerëzve të cilëve më parë u ke mohuar mundësinë për të marrë pjesë nuk është këshillë është cinizëm institucional.
Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture. Është një proces dehumanizimi. Filozofi Emmanuel Levinas shkruante se etika lind kur pranojmë përgjegjësinë për fytyrën e tjetrit. Ne kemi ndërtuar një shoqëri ku fytyra e personit me nevoja të veçanta është bërë e padukshme. Nuk i përjashtojmë sepse i urrejmë i përjashtojmë sepse jemi mësuar aq shumë me mungesën e tyre në jetën publike, sa nuk e vërejmë më.
Në fund, pyetja nuk është sa postime do të bëjmë këtë javë për këtë komunitet për të treguar sensibilizim apo ndjeshmëri. Pyetja është shumë më e qenësishme: Çfarë lloj shoqërie jemi bërë, kur kemi arritur ta konsiderojmë normale një botë të ndërtuar pa këta njerëz? Një shoqëri nuk vlerësohet nga fjalimet për dinjitetin, por nga mundësia reale që çdo qytetar të lëvizë, të punojë, të arsimohet, të votojë dhe të marrë pjesë në jetën publike.
Të gjithë jemi vulnerabël në një moment të jetës. Dallimi nuk qëndron tek cenueshmëria njerëzore, por tek mënyra se si një shoqëri zgjedh t’i trajtojë ata që sot kanë më shumë nevojë për mbështetje. Sepse mënyra si sillemi me personat me nevoja të veçanta nuk tregon dobësinë e tyre, por nivelin e humanizmit tonë.Derisa kjo të ndodhë, javët e ndërgjegjësimit do të mbeten një ritual i bukur për ndërgjegjen tonë dhe një kujtesë e hidhur për ata që, sapo fiket kamera, vazhdojnë të jetojnë të përjashtuar.
