Shqipëria po përjeton ditët e fundit të valës së të nxehtit afrikan, me temperatura që kanë arritur deri në 42 gradë Celsius në disa zona.
Por situata pritet të ndryshojë ndjeshëm gjatë kësaj jave, pasi një masë ajrore e freskët nga veriu i Evropës do të sjellë ulje të temperaturave, reshje dhe erë në pjesën më të madhe të vendit.
Sinoptikania Lajda Porja bëri me dije se dita e sotme mbetet nën ndikimin e temperaturave ekstreme, me vlera të larta kryesisht në zonat e ulëta dhe jugore.
“Edhe sot na pret një ditë mjaft e nxehtë, jemi ende në ndërtimin e valës së nxehtë afrikane. Shumë qytete të ultësirës perëndimore do të shënojnë temperatura nga 39 deri në 40 gradë, ndërsa priten 41 gradë në qarqet e Gjirokastrës dhe Beratit dhe deri në 42 gradë në zona të izoluara të Elbasanit.”-u shpreh Porja.
Sipas sinoptikanes, temperaturat e larta shoqërohen edhe me net tropikale, ku në shumë qytete vlerat minimale nuk zbresin nën 20 gradë. Zonat malore dhe verilindore do të jenë disi më të freskëta, me temperatura rreth 33-36 gradë.
Ndryshimi i ndjeshëm i motit nis nga dita e mërkurë, kur një masë ajrore e freskët me origjinë nga veriu i Evropës do të depërtojë drejt Ballkanit. Temperaturat pritet të ulen ndjeshëm, duke kaluar nga mbi 40 gradë në rreth 30 gradë në fundjavë.
“Të mërkurën një masë shumë e freskët me origjinë nga veriu i Evropës do të sjellë freskim të menjëhershëm. Nga 41-42 gradë që kemi sot, dita e premte do të sjellë maksimum jo më shumë se 30 gradë, pra një rënie me rreth 12 gradë.”-tha ajo./ad
