Last Updated on 20/07/2026 by EL
Për herë të parë, Teatri “Aleksandër Moisiu” solli për publikun leximin artistik të një vepre dramaturgjike, një format që vë në qendër tekstin dhe fuqinë e fjalës së shkruar.
Në ambientet e Muzeut Etnografik u prezantua drama me një akt “Palltoja”, e autorit durrsak Ilir Paja.
Vepra rrëfen historinë e dy miqve, marrëdhënia e të cilëve vihet në provë pas shfaqjes së një palltoje të re. Ajo që nis si një gjest i thjeshtë, shndërrohet në një përballje me xhelozinë, krenarinë, pasigurinë dhe etjen për status, duke ngritur pikëpyetje mbi miqësinë, identitetin dhe dinjitetin njerëzor.
Atmosfera e Muzeut Etnografik krijoi një komunikim të drejtpërdrejtë mes aktorëve, autorit dhe publikut.
Në kushtet kur godina e teatrit të Durrësit është në rikonstruksion, nisma të kësaj natyre synojnë të promovojnë dramaturgjinë shqiptare dhe autorët vendas, duke krijuar një hapësirë të re dialogu mes veprës dhe publikut./et
