Last Updated on 26/07/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave dhe komenteve të shumta që, sipas tij, kanë qarkulluar në rrjete sociale dhe përmes mesazheve private pas fjalës së tij për “Bulevardin e Flamingove”.
Në një postim në rrjetin social X, Rama thotë se disa prej reagimeve kanë keqinterpretuar mesazhin e tij, duke theksuar se thirrjet për dorëheqje nuk ndikojnë në marrëdhënien e tij me qytetarët që i kanë dhënë votën.
“Për asnjë prej tyre dhe as për të gjithë ata bashkë nuk më ka shkuar ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë”, shkruan kryeministri.
Rama sqaroi se referenca ndaj flamingove lidhej me “mësimet” që ai thotë se ka marrë nga kjo figurë simbolike, ndërsa sorrat dhe korbat, sipas tij, përfaqësojnë “anën e errët të protestës”.
Kreu i qeverisë deklaron se liria e shprehjes dhe e drejta për protestë janë të barabarta për të gjithë, duke shtuar se mandati i tij buron nga kontrata me qytetarët shqiptarë.
“Kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata, por është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar”, përfundon Rama reagimin e tij.
POSTIMI I PLOTE
Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment: Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh. Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo! Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove. Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve. Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike./MXH
