Jo vetëm pamjet dhe thirrjet nga Ceuta, por dhe shifrat po “trazojnë” Evropën.
Dhe shifrat tregojnë se që nga viti 2021 e deri më sot, ekonomia spanjolle është rritur shumë më shpejt se mesatarja evropiane: 2,8% vetëm vitin e kaluar, krahasuar me 1,5% të Bashkimit Evropian, ndërsa për këtë vit Komisioni Evropian parashikon një rritje prej 2,4% për Spanjën, kundrejt 1,1% për BE-në.
Një pjesë e këtij zhvillimi lidhet edhe me kontributin e emigrantëve.
Analistja e Bankës së Spanjës, Pilar Cuadrado Salinas, së bashku me Ana Regil, ka llogaritur se nga viti 2022 deri në 2024, popullsia e huaj ka kontribuar drejtpërdrejt me 0,4 deri në 0,7 pikë përqindjeje në rritjen mesatare vjetore të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, e cila ishte 2,9%. Kjo përfaqëson rreth një të katërtën e rritjes totale.
Më vonë, Cuadrado vlerësoi se 1,7 pikë nga 3,7 pikët e rritjes mesatare të PBB-së mes viteve 2022 dhe 2025, pra pothuajse gjysma, erdhën nga punëtorët emigrantë.
Nëse kjo përqindje llogaritet mbi një PBB mesatare vjetore prej rreth 1 540 miliardë eurosh, rezulton se emigrantët kanë kontribuar me afërsisht 25 miliardë euro në vit në rritjen ekonomike. Është një përllogaritje e thjeshtuar, të cilën Banka e Spanjës nuk e ka bërë zyrtarisht, por që ndihmon për të kuptuar përmasat e fenomenit.
Një shtysë e rëndësishme ekonomike, në një kohë kur numri i emigrantëve në Spanjë është rritur ndjeshëm. Në fillim të viteve ’90, ata ishin më pak se gjysmë milioni në një popullsi prej 39 milionë banorësh. Sot, Instituti Kombëtar i Statistikave i Spanjës (INE) konfirmon se për herë të parë më shumë se 10 milionë banorë nuk kanë lindur në vend: pra, një në pesë persona.
Në vitin 2024, bilanci migrator ishte pozitiv me më shumë se 600 mijë persona. Me këtë ritëm, çdo vit krijohet një qytet me madhësinë e Palermos, i përbërë vetëm nga të huaj.
Dy valë të mëdha emigrimi
Rritja nuk ka ndodhur në një valë të vetme.
“Që nga viti 2018, Spanja po përjeton atë që quhet vala e dytë e madhe e emigrimit”, shpjegon Luigi Minale, profesor i asociuar i ekonomisë në Universitetin Carlos III të Madridit.
Vala e parë ndodhi mes fillimit të viteve 2000 dhe krizës globale të vitit 2008 dhe solli kryesisht marokenë, ekuadorianë dhe qytetarë nga vendet e reja të Bashkimit Evropian, si rumunët dhe bullgarët.
Vala e dytë përbëhet kryesisht nga emigrantë nga Kolumbia, Venezuela dhe Peruja.
Prandaj, pamjet nga Ceuta tregojnë vetëm një pjesë të fenomenit: emigracionin e parregullt, kryesisht afrikan, të përqendruar në kufirin me Marokun. Ndërkohë, fluksi kryesisht latino-amerikan i viteve të fundit ka ushqyer rritjen e popullsisë dhe të tregut të punës.
Gjuha si avantazh në integrim
Origjina ka rëndësi.
Shumë latino-amerikanë hyjnë rregullisht në Spanjë pa vizë për qëndrime turistike deri në 90 ditë. Ata mbërrijnë me avion dhe qëndrojnë edhe pas skadimit të afatit, duke kaluar në status të parregullt, pa pasur nevojë të kalojnë kufij në mënyrë ilegale.
Por mbi të gjitha, ata flasin spanjisht.
“Mbërrijnë më të arsimuar krahasuar me valën e parë dhe vijnë nga vende që, për arsye kulturore dhe gjuhësore, e bëjnë më të lehtë dhe më të shpejtë integrimin në tregun e punës”, shpjegon Minale.
Një person që vjen nga Kolumbia ose Venezuela mund të punojë jo vetëm në ndërtim apo bujqësi, por edhe në shërbime, në bare, në kujdesin për të moshuarit apo në qendra telefonike. Kjo është një situatë e veçantë në Evropë, ku distanca gjuhësore shpesh është pengesa e parë për integrim.
Legalizimi i emigrantëve
Pas shifrave qëndron edhe një politikë e caktuar.
Legalizimi i fundit i vendosur nga qeveria e Pedro Sánchez-it ishte operacioni i shtatë i madh i këtij lloji që prej vitit 1986. Procesi ishte i hapur nga 16 prilli deri më 30 qershor.
Mund të aplikonin shtetas të huaj madhorë që ndodheshin në Spanjë para 1 janarit 2026, që mund të dëshmonin të paktën pesë muaj qëndrim të pandërprerë dhe që nuk kishin precedentë penalë apo rrezik për rendin publik.
Leja 1-vjeçare u jep mundësi të punojnë në çdo sektor dhe më pas të shndërrohet në një leje të zakonshme qëndrimi.
Qeveria priste rreth 500 mijë aplikime, por kërkesat përfundimtare arritën pothuajse në 1,2 milionë, më shumë se dyfishi i parashikimit. Në fillim të korrikut, rreth 610 mijë kërkesa ishin ende në proces.
Ky është një operacion i madh formalizimi që do të ndikojë edhe në rritjen e PBB-së: shumë persona që punonin më parë pa kontratë, pa kontribute dhe pa mbrojtje të plotë sociale, tani hyjnë në ekonominë zyrtare.
Por emigrantët mbeten shpesh në punët më të vështira
Edhe kur nuk kanë pengesa gjuhësore, emigrantët shpesh punojnë në sektorët me paga më të ulëta dhe kushte më të vështira.
Kur mbërrijnë, ata përballen me atë që ekonomistët e quajnë “downgrading”: diploma që nuk njihen, aftësi që nuk përdoren dhe punë nën nivelin e përgatitjes së tyre.
“Punojnë kryesisht në bujqësi, turizëm, hotele dhe restorante, sektorë ku kompanitë shpesh kanë vështirësi të gjejnë punëtorë”, thotë Minale.
PBB-ja rritet kryesisht sepse rritet numri i të punësuarve, ndërsa produktiviteti i punës ecën më ngadalë.
Këtu shfaqet edhe një kontradiktë e madhe: në maj të këtij viti papunësia në Spanjë ishte ende 10,3%, krahasuar me mesataren 5,9% në BE.
Kompanitë kërkojnë punëtorë, ndërsa njëkohësisht 2,6 milionë persona mbeten pa punë, sepse nuk përputhen aftësitë, vendndodhja, pagat dhe kushtet e ofruara.
Përfitimet dhe kostot e emigrimit
“Numrat shpjegojnë shumë, por jo gjithçka”, thotë Joan Monràs, drejtor i Barcelona School of Economics dhe profesor në Universitetin Pompeu Fabra.
“Sikur efekti i përgjithshëm në ekonomi të ketë qenë pozitiv, ekzistojnë edhe kostot e mbingarkesës. Nëse popullsia rritet dhe numri i spitaleve mbetet i njëjtë, është e qartë se do të ketë më shumë presion mbi sistemin.”
E njëjta gjë ndodh me banesat. Pa ndërtime të reja, rritja e numrit të banorëve shton presionin mbi tregun e qirave. Mes viteve 2021 dhe 2025, qiratë në Spanjë u rritën me 39%, ndërsa në rajonin e Madridit me 59%.
Efektet nuk shpërndahen njësoj.
“Në afat të shkurtër mund të humbasin më shumë punëtorët me kualifikim të ulët, ata që kryejnë punë të ngjashme me emigrantët”, vëren Monràs.
Minale shton se mes më të ekspozuarve janë edhe emigrantët e valëve të mëparshme, të cilët mund të jenë tashmë shtetas spanjollë dhe tani konkurrojnë drejtpërdrejt me të sapoardhurit.
Përfitues janë kompanitë që gjejnë fuqi punëtore, punonjësit me aftësi plotësuese dhe pronarët e pasurive të paluajtshme.
Emigracioni, një çështje politike
Nuk është detyrë e ekonomistëve të llogarisin se sa nga këto probleme shndërrohen në vota për të djathtën, madje edhe për të djathtën ekstreme.
Por ngritja e partisë Vox, e cila fillimisht e ndërtoi suksesin e saj mbi unitetin e Spanjës dhe kundërshtimin ndaj pavarësisë së Katalonjës, tregon se emigracioni është bërë edhe këtu një fushë konflikti politik.
Rritja ekonomike e Spanjës mbetet e fortë, por jo të gjithë përfitojnë njësoj prej saj.
Spanja mund të vazhdojë ta zgjerojë “tortën” ekonomike falë të ardhurve të rinj; sfida e saj mbetet të tregojë se di ta shpërndajë atë në mënyrë të drejtë, ndërsa përballet edhe me ata që do të donin që askush nga jashtë të mos vinte për të përgatitur ushqimin dhe më pas të ulej në tryezë./mxh
