Last Updated on 06/08/2026 by Monika
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 12 orëve të fundit në vend janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të mbeten aktive.
Sipas njoftimit, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 454 forca operacionale, 47 automjete zjarrfikëse, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe tre automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.
Në zonën e Dajtit dhe në fshatin Priskë të Tiranës vijojnë ndërhyrjet nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarreve, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Mallakastër, në fshatrat Riban dhe Ngraçan, situata është drejt stabilizimit falë ndërhyrjes së forcave në terren dhe mjeteve ajrore.
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit vijon puna për neutralizimin e vatrave në Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës dhe zonën e mbrojtur të malit të Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë vënë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Kostren 2, në bashkinë Berat, është riaktivizuar një vatër zjarri dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Nga ana tjetër, zjarret në Floq të Korçës dhe në Shpërdhet–Drojë të Kurbinit janë shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin e vendit./mxh
