Mospengimi i asnjë rakete ruse gjatë një sulmi të madh ajror gjatë natës, këtë javë, ka ngritur shqetësime të reja për furnizimet gjithnjë e më të pakta të Kievit me armë penguese të mbrojtjes ajrore, ndërsa Moska po intensifikon sulmet me raketa balistike ndaj kryeqytetit pothuajse të pambrojtur dhe rajoneve të tjera ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se dërgesat e raketave penguese të atyre balistike nga vendet partnere kanë rënë ndjeshëm, duke e lënë Ukrainën të ekspozuar ndaj sulmeve vdekjeprurëse që Rusia po i kryen gjithnjë e më shumë.
Pas një takimi me udhëheqjen ushtarake të Ukrainës, më 2 gusht, për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, Zelensky tha se Ukraina kishte marrë vetëm një të tretën e numrit të raketave penguese këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
“Partnerët tanë i kanë raketat. Ajo që nevojitet janë vendimet e nevojshme politike për dërgesat dhe për përshpejtimin e prodhimit, përfshirë edhe lokalizimin e prodhimit në Ukrainë”, tha Zelensky.
Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, e cila ndodhej në Kiev gjatë sulmit më të fundit, më 5 gusht, dënoi goditjet e fundit ruse, të cilat ndriçuan qiellin e natës me shpërthime masive.
“Ishte një sulm i neveritshëm ndaj ukrainasve. Isha në strehimore së bashku me shumë prej tyre, dhe admirova qëndrueshmërinë e tyre. Rusia është një shtet terrorist dhe duhet të frenohet”, shkroi ajo në X.
Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, u bëri thirrje aleatëve që të mos ngadalësojnë ndihmën ushtarake.
Duke folur më 5 gusht, ai tha: “Sulmet ruse nuk marrin pushime verore; as mbështetja për Ukrainën dhe as presioni ndaj agresorit nuk duhet të ndalen. Çdo raketë penguese ka rëndësi. Ato janë mjete që shpëtojnë jetë”.
Raketat penguese Patriot mbeten mbrojtja më efektive e Ukrainës kundër raketave balistike ruse, por po shtohen pyetjet se sa raketa penguese shtesë mund të sigurojë realisht Uashingtoni.
Javën e kaluar, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerësoi se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur më shumë se gjysmën e rezervave të tyre të raketave penguese Patriot PAC-3 MSE dhe THAAD, gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit këtë vit./Mxh
