Nga Ilir Yzeiri
Shpallja « non grata » e dy shqiptarëve nga Maqedonia, njëri hoxhë dhe tjetri politikan llafexhi, do të duhej të ishte objekt debati për një temë më të gjerë dhe jo thjesht për një incident në një protestë ku, hoxha dhe ky politikani llafexhi, janë shprehur me tone kërcënuese për jetën e kryeministrit të zgjedhur shqiptar. Debati, mendoj unë, do të duhej të shtrihej përtej këtij zemërimi kriminal. Pyetja është kjo : çfarë përfaqësojnë sot, në vitin 2026, shqiptarët në Ballkan ? Çfarë janë ata ? Ku jetojnë ? Cili është projekti i tyre europian ? A do të arrijnë ndonjëherë të bëhen qytetarë të Europës dhe a do të bashkohen apo do të rrinë kështu siç janë, të ndarë në dy shtete dhe si pjesë konstituive në dy të tjera? Ajo që duket qysh tani, është se shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Maqedonisë nuk mund dhe as nuk po tregojnë se kanë për qëllim t’i bashkohen trungut amë. Shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të krijuar nga mbështetja e fortë amerikane dhe europiane dhe Shqipëria, apo trungu-amë, është një shtet i konsoliduar, tashmë, që, megjithë problemet që paraqet, duket se po bën hapa të sigurtë drejt integrimit përfundimtar në Bashkimin Europian.
Siç dihet, në fillim të viteve 2000 e më pas, Europa dhe Amerika u përfshinë në një valë të paparë populizmi. Akumulimi i zemërimit, siç thoshte filozofi slloven Sloterdijk, në popujt europianë erdhi për shkak se pas Luftës së Dytë Botërore as kisha dhe as politika nuk arritën ta moderojnë zemërimin ndaj elitave politike që vinte për shkaqe nga më të ndryshmet. Ky zemwrim, pastaj, ra në dorë të inxhinierëve të kaosit, siç thotë gazetari dhe shkrimtari i famshëm, Giuliano da Empoli dhe bëri bashkë aleancën digjitale, logaritmin me zemërimin analog dhe lindën në Itali partia e Bepe Grilos dhe e Mateo Salvinit, në Francë jelekverdhët, në Greqi Syriza, në Hungari Orban, në Gjermani u rrit partia ultranacionaliste AFD dhe në Amerikë erdhi Trump. Të gjitha këto parti politike kishin në programin e tyre luftën kundër elitave dhe e nisën betejën duke përdorur tri armë : shpifjen, kërcënimin dhe denigrimin e kundërshtarit politik në emër të atdheut që po vidhet e po shitet nga elitat. Ata të gjithë dolën si përfaqësues të popullit dhe kërkuan t’i rrafshonin dallimet i majtë, i djathtë. Sot, rezultatet po shihen. Por ajo që ka rëndësi për argumentin tonë, është se edhe vendet e ish-Lindjes u përfshinë në këtë vorbull zhvillimesh dhe Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria morën e bënë kauzë të vetën sloganet e Europës së vjetër tradicionaliste: atdhe, fe e familje dhe sidomos Orban, në fjalimet e tij, përpiqej të argumentonte se ne do të mbrojmë ato vlera që Europa i ka humbur. Mund të vazhdoja edhe më gjatë e të tregoja se çfarë ka ndodhur hollësisht në këta dhjetë vjet, sidomos duke u mbështetur në librin e famshëm të Giuliano da Empoli « Inxhinierët e kaosit », por kjo do të më largonte nga argumenti ynë. Po në Shqipëri çfarë ndodhi në këta dhjetë vjet ? Po ndër shqiptarët e Ballkanit, në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, çfarë ndodhi ? Dy figura zotëruan hapësirën shqiptare, Edi Rama dhe Albin Kurti. Ishte një kohë kur edhe në Mal të Zi ishte një kryeministër me origjinë shqiptare, por ai ishte kryeministër i Malit të Zi dhe në agjendën e tij kishte atë shtet dhe jo shqiptarët. Dhe ashtu duhet të jetë. Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët njohën disa të drejta. U arrit deri aty sa për herë të parë një shqiptar ishte në krye të Parlamentit të atij vendi. Në të vetmen hapësirë ku populizmi europian i tipit të Bepe Grilos apo Salvinit gjeti vend, ishte Kosova dhe populisti par-exellence ishte Albin Kurti. Ai shfrytëzoi në maksimum zemërmin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët nuk arritën të bëjnë dallimin mes lirisë së fituar dhe qeverisjes në liri. Duke përdorur fake-news-et, shpfijen, kërcënimet, dhunën dhe denigrimin e UÇK-së si dhe duke ngritur në kult luftën kundër korrupsionit dhe duke e vizatuar të gjithë elitën politike të Kosovës si hajdute dhe si ajo që e kishte shitur Kosovën për interesat e saj (kujtoni këtu shpifjen për shkëmbim territori), Albin Kurti arriti ta fitojë skenën politike të Kosovës. Pasi mundi kundërshtarët brenda tij, ai e shtriu luftën digjitale sidomos ndaj Edi Ramës dhe ndjekësit e tij, trollerat dhe algoritmet, me rast e pa rast, sulmonin Edi Ramën dhe e paraqitnin atë si të shitur te Serbia dhe si aleat të Vuçiçit. Ndërkaq, Edi Rama, falë talentit dhe karizmës së tij, po fitonte besimin e BE-së dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe prej disa vjetësh ai pothuajse e kishte injoruar Albin Kurtin. Mirëpo, siç thotë përsëri Slotedijk, karakteristikë e liberalëve është se ata ua japin reformat votuesve të tyre me dozë kuajsh dhe, në vend që t’i çlirojnë, i mbysin fare. Kështu i ndodhi edhe Ramës. Siç e kam theksuar që në fillim të nisjes së protestave, Rama ra viktimë e suksesit të tij. Ai krijoi bindjen se nuk ka më asnjë opozitar dhe asnjë kundërshtar. Bëri keq Reformën në Drejtësi duke ia lënë në dorë atë shndërrim gjigand të sistemit, njerëzve që nuk kishin asnjë ideal për drejtësinë dhe sot ne vuajmë dhunën e Altin Dumanit, Erion Banit apo Olsi Dados. SPAK-u, i frymëzuar edhe nga Rama, shërbeu si zyrë informacioni për të mbushur mediat dhe opinionin me sloganin se « socialistët dhe qeveria e Ramës janë hajdutë ». Nisi të marrë vendime duke mos pyetur asnjë organizatë të mjedisit. Aeropoti i Vlorës dhe Zvërneci ishin dy nga vendimmarrjet më të gabuara që prodhuan efektin flutur dhe që derdhën në shesh zemërimin e akumuluar që thoshte filozofi slloven. Protesta është një temë më vete dhe meriton analiza të hollësishme. Ajo që nuk duhet të harrohet, është se populizmi i Albin Kurtit u vu përsëri në lëvizje dhe këtë radhë shfaqi edhe një anë të zezë të mentaliteti shqiptar. Kjo anë e zezë është bashkimi i islamizmit radikal me populizmin antishqiptar të frymëzuar nga Kurti. Përse duhet të vijë të protestojë në Tiranë një hoxhë radikal nga Maqedonia e Veriut ? Shqipëria është vendi kampion i lirisë së besimit. Këtu jo vetëm që nuk dhunohet asnjë besim, por, përkundrazi, ka aq shumë toleranca sa na bën të dukemi qesharakë. Në Kosovë Albin Kurti ka dy vjet që qeveris pa asnjë mandat dhe po e mban peng atë vend për hir të egoizmit të tij dhe dëshirës që t’i ketë të gjitha pushtetet. Tani pyetja është e thjeshtë, nëse do të kishte një vetëdije të përbashkët shqiptare, çfarë do të vlerësonte më shumë kjo ndërgjegje e vrarë mes shqiptarëve ? Krizën e thellë në Kosovë, të drejtat e shqiptarëve që nuk janë kthyer ende në akte nënligjore apo zemërimin e flamingove kundër Edi Ramës ? Në emisionin e fundit të ADN-së për ketë sezon pata të ftuar edhe një jurist të talentuar nga Maqedonia e Veriut, Premtim Isenin. Ai më tha se, nëse Albin Kurti do të vazhdojë me kokëfortësi të mos ndërtojë institucione, por ta mbajë peng Kosovën, atëherë nuk është çudi që protesta e Tiranës të frymëzojë edhe shqiptarët e Kosovës dhe Albini ta shohë veten të rrethuar me demonstrues. Duke menduar këtë dhe duke parë zellin e hoxhës nga Maqeonia e Veriut që do të zhbëjë Edi Ramën, më vjen të pyes, po ku vajti ajo krenari shqiptare dhe ku mbeti ajo ëndrra për t’u thënë të gjithëve se ne jemi më të vjetrit dhe më të famshmit në Ballkan apo edhe në Europë, siç thonë turbo-albanologët ? Ndoshta kemi nevojë të mos ushqehemi me aq shumë folklor sa në këto ditë të nxehta gushti.
