Last Updated on 12/08/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar mbi përfundimin e koncesionit të Check-Up-it dhe rikthimin e shërbimit nën administrimin e shtetit, duke e cilësuar këtë si një prej shembujve më flagrantë të keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike.
Spahia shprehet se për 12 vite, rreth 66 milionë euro nga taksat e shqiptarëve kanë përfunduar te privati, ndërsa sipas tij, mbi 9.2 milionë euro janë paguar për analiza që nuk janë kryer.
Sipas deputetit demokrat, këto shifra përbëjnë një kontrast të fortë me realitetin e sistemit shëndetësor shqiptar, ku qytetarët vijojnë të përballen me mungesë medikamentesh, pajisjesh dhe shërbimesh bazë.
“Cila është pasqyra reale e asaj që mashtruesit në pushtet e quajtën ‘shëndetësi falas’?”, shkruan Spahia, duke renditur ndër problematikat mungesën e ilaçeve jetike, pajisjeve mjekësore dhe materialeve bazë në spitale.
Ai akuzon qeverinë se, ndërsa miliona euro janë shpërndarë për kontrata koncesionare, pacientët dhe familjarët e tyre janë detyruar të përballojnë vetë shpenzime për ilaçe, shiringa, doreza dhe materiale të tjera të nevojshme për trajtimin mjekësor.
“Askush nuk të ofron ‘shëndetësi falas’ kur je i detyruar të blesh vetë të drejtën për të jetuar”, shprehet Spahia.
Sipas tij, rikthimi i Check-Up-it në shtet nuk e zhbën dëmin e shkaktuar ndër vite. Ai argumenton se paratë janë shpenzuar tashmë, ndërsa problemet e sistemit shëndetësor mbeten.
“Sot thesi u mbyll dhe koncesioni kthehet në shtet, por dëmi kolosal u bë, vjedhja funksionoi, paratë u morën dhe sistemi mbeti i rrënuar”, shkruan deputeti demokrat.
Në përfundim, Spahia e cilëson këtë situatë si një faturë që shqiptarët e kanë paguar me paratë, vuajtjet dhe sakrificat e tyre, ndërsa e mbyll reagimin me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama: “Rama, jep dorëheqjen!”
