Frutat nuk janë vetëm një burim vitaminash dhe shijeje, por edhe një nga grupet ushqimore më të pasura me përbërës bioaktivë që ndihmojnë organizmin të luftojë stresin oksidativ dhe inflamacionin. Sipas kërkimeve shkencore, disa fruta përmbajnë antioksidantë dhe përbërës natyralë që mund të luajnë rol në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet që lidhen me zhvillimin e sëmundjeve kronike, përfshirë edhe disa forma të kancerit.
Ekspertët theksojnë se asnjë ushqim i vetëm nuk mund të parandalojë ose shërojë kancerin, por një dietë e pasur me fruta, perime dhe ushqime të papërpunuara lidhet me një rrezik më të ulët për disa sëmundje. Ndër frutat më të studiuara për përmbajtjen e tyre antioksiduese janë boronicat, rrushi, avokadoja dhe ananasi.
Boronicat
Boronicat konsiderohen ndër frutat me përqendrimin më të lartë të antioksidantëve. Ato përmbajnë antocianina, përbërës që u japin ngjyrën karakteristike blu-vjollcë dhe që janë studiuar për efektet e tyre anti-inflamatore.
Sipas hulumtimeve të publikuara në revista shkencore si Antioxidants, antocianinat dhe përbërës të tjerë fenolikë të boronicave mund të ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira, molekula që mund të dëmtojnë ADN-në dhe të ndikojnë në proceset qelizore.
Studimet laboratorike kanë treguar se ekstraktet e boronicave mund të ndikojnë në rritjen e disa llojeve të qelizave tumorale, përfshirë ato të zorrës së trashë dhe gjirit, megjithëse nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht efektin te njerëzit.
Rrushi
Një tjetër frut i njohur për përbërësit mbrojtës është rrushi, veçanërisht ai i kuq dhe vjollcë. Në lëkurën e kokrrave të rrushit gjendet resveratroli, një antioksidant natyral i cili është studiuar për efektet e tij kundër inflamacionit dhe stresit oksidativ.
Sipas disa studimeve eksperimentale, resveratroli mund të ndikojë në mekanizma që lidhen me rritjen dhe shumimin e qelizave të dëmtuara. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se rezultatet nga laboratorët nuk do të thotë domosdoshmërisht të njëjtin efekt nga konsumimi i zakonshëm i rrushit në dietën e përditshme.
Avokadoja
Edhe pse shpesh përdoret si perime në gatim, avokadoja është një frut i pasur me përbërës ushqyes. Ajo përmban glutathione, një antioksidant i fuqishëm që ndihmon trupin në luftën kundër stresit oksidativ.
Gjithashtu, avokadoja është burim i vitaminës C, vitaminës E dhe karotenoideve si luteina dhe zeaksantina, përbërës që lidhen me mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet.
Ananasi dhe bromelina
Ananasi përmban bromelinë, një enzimë natyrale që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve për vetitë e saj anti-inflamatore.
Disa kërkime laboratorike sugjerojnë se bromelina mund të ndikojë në procese të caktuara që lidhen me qelizat tumorale dhe përgjigjen imunitare. Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto rezultate nuk duhet të interpretohen si një trajtim kundër kancerit, por si pjesë e një ushqyerjeje që mbështet shëndetin e përgjithshëm.
Një dietë e larmishme është çelësi
Sipas organizatave shëndetësore si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Instituti Amerikan për Kërkimin e Kancerit (AICR), konsumimi i rregullt i frutave dhe perimeve është një pjesë e rëndësishme e një stili jetese që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për disa sëmundje.
Pra, boronicat, rrushi, avokadoja dhe ananasi mund të jenë aleatë të vlefshëm në një dietë të ekuilibruar, falë vitaminave, fibrave dhe antioksidantëve që përmbajnë. Por mbrojtja më e mirë vjen nga kombinimi i shumë ushqimeve të shëndetshme, aktiviteti fizik dhe kontrollet e rregullta mjekësore./ad
