Italia ka informuar zyrtarisht Gjermaninë se nuk do të pranojë kthimin e emigrantëve që kanë hyrë për herë të parë në Bashkimin Evropian përmes territorit italian.
Ministria e Brendshme italiane i dërgoi një komunikim zyrtar qeverisë gjermane duke refuzuar transferimin e emigrantëve që i nënshtrohen rregullave të Dublinit të BE-së, raportoi të enjten transmetuesi publik “Rai News”.
Sistemi i Dublinit në përgjithësi ia cakton përgjegjësinë për shqyrtimin e një kërkese për azil vendit të BE-së përmes të cilit aplikanti ka hyrë për herë të parë në bllok. Mosmarrëveshja thuhet se ka të bëjë me tre raste që përfshijnë dëbime, që datojnë para 12 qershorit, kur hyri në fuqi pakti i ri i BE-së për migracionin dhe azilin.
Roma pohon se emigrantët mbulohen nga një e ashtuquajtur “amnisti e dublinasve” e përfshirë në një marrëveshje të nënshkruar me Gjermaninë dhjetorin e kaluar, sipas raportit. Autoritetet italiane përmendën një mekanizëm “kompensimi” që merr në konsideratë emigrantët e sjellë në Itali në bordin e anijeve të operuara nga organizatat joqeveritare gjermane.
Ky veprim vjen mes tensioneve të larta mbi migracionin brenda BE-së pas mbërritjes së dhjetëra mijëra emigrantëve në enklavën spanjolle të Afrikës Veriore, Ceuta, në fund të korrikut. Më pas, Italia vendosi kontrolle të përkohshme në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, duke thënë se masa ishte e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe sistemin evropian të kontrollit të kufijve.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të mërkurën se qeveria e saj do të vazhdojë deportimet e emigrantëve të parregullt dhe do të forcojë mbrojtjen e kufijve. “Mbrojtja e kufijve, siguria, respektimi i rregullave: Ne do të vazhdojmë drejt në këtë rrugë”, tha Meloni./mxh