Last Updated on 14/08/2026 by EL
Duhanpirësit janë pak të informuar mbi rreziqet që ky produkt shkakton në shëndetin e zemrës.
Një studim i ri me më shumë se 240 mijë duhanpirës në 46 vende ka zbuluar se ndërgjegjësimi për dëmet e duhanit në zemër dhe enët e gjakut ka ndryshuar shumë pak gjatë dy dekadave të fundit.
Ekspertët vënë në dukje se 90% e duhanpirësve e dinë se cigaret mund të shkaktojnë kancer në mushkëri. Por vetëm rreth 8 nga 10 e lidhnin duhanpirjen me sëmundjet e zemrës, ndërsa edhe më pak ishin në dijeni për rrezikun e goditjes në tru dhe dëmet që u shkaktohen të tjerëve nga tymi pasiv.
Sipas studiuesve, duhani shkakton mbi 2 milionë vdekje kardiovaskulare çdo vit në mbarë botën.
Në Evropë, disa vende po forcojnë masat kundër duhanit. Britania e Madhe ka miratuar kufizime të reja për shitjen e produkteve të duhanit.
Komisioni Evropian synon krijimin e një “brezi pa duhan” deri në vitin 2040, me një nivel duhanpirjeje nën 5 për qind.
Ndërkohë, OBSH vlerëson se duhani shkakton mbi 7 milionë vdekje çdo vit, përfshirë më shumë se 1.6 milionë persona që nuk pinë duhan, por ekspozohen ndaj tymit pasiv./et
