Një stuhi e fuqishme ka goditur Havait, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme, rrëshqitje dheu dhe dëme të shumta, ndërsa uragani i kategorisë së parë “Lala” kaloi pranë ishullit Big Island.
Mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike dhe autoritetet kanë paralajmëruar banorët për kushte të rrezikshme për jetën, përfshirë përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu. Stuhia po lëviz drejt perëndimit, në jug të Hawait, ndërsa reshjet e dendura pritet të vazhdojnë.
“Lala” arriti fuqinë e uraganit të shtunën, me erëra që arritën deri në 147 kilometra në orë. Në disa zona priten deri në 89 centimetra reshje shiu.
Guvernatori i Hawait, Josh Green, njoftoi se një person humbi jetën në një aksident automobilistik të lidhur me kushtet e këqija të motit në Big Island. Ndërkohë, autoritetet e qarkut thanë se të paktën dy zona janë përfshirë nga përmbytje të menjëhershme dhe se disa banesa të banuara mund të jenë marrë nga uji dhe zhvendosur nga themelet.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë vënë në lëvizje për të gjetur banorët, ndërsa operacionet janë vështirësuar nga rrjedhat e forta të ujit, mbeturinat, gurët e mëdhenj dhe errësira.
Pamjet e publikuara nga Departamenti i Transportit të Havait tregojnë rrugë të mbuluara nga uji dhe të bllokuara nga pemë të rrëzuara. Disa rrugë janë dëmtuar gjithashtu nga rrëshqitjet e dheut. Guvernatori Green u ka bërë thirrje banorëve të mos dalin në rrugë dhe të përgatiten për sasi shumë të mëdha uji.
Stuhia ka shkaktuar edhe probleme të mëdha në transport. Rreth 190 fluturime janë shtyrë, ndërsa në aeroportin kryesor të Big Island, Ellison Onizuka Kona International, rreth 40% e fluturimeve u anuluan të shtunën. Në aeroportin ndërkombëtar të Hilos, rreth 80% e fluturimeve u anuluan.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka dhënë paralajmërimet më të forta për pjesën juglindore të Big Island, zona që iu afrua më shumë qendrës së uraganit. Autoritetet paralajmërojnë se lumenjtë mund të dalin shpejt nga shtrati dhe se mund të nevojiten evakuime dhe operacione të shumta shpëtimi.
Rreth 115 mijë abonentë në Havai kishin mbetur pa energji elektrike të dielën në mëngjes. Sipas guvernatorit, edhe tre spitale kanë humbur furnizimin me energji, por kanë aktivizuar gjeneratorët rezervë.
Në ishullin Maui, disa banorë kanë mbetur gjithashtu pa ujë të pijshëm. Ekipet e emergjencës janë përpjekur të kontrollojnë situatën, por moti i keq dhe pemët e rrëzuara i kanë detyruar të ndërpresin punën. “Lala” nuk goditi drejtpërdrejt Big Island, siç ishte parashikuar më herët, por kaloi rreth 48 kilometra larg pikës jugore të ishullit.
Paralajmërime për stuhi tropikale janë në fuqi për të tetë ishujt kryesorë të Hawait: Big Island, Maui, Molokai, Kahoolawe, Oahu, Lanai, Kauai dhe Niihau. Autoritetet paralajmërojnë se erërat e forta dhe reshjet e dendura do të vazhdojnë në Big Island dhe do të përhapen drejt ishujve të tjerë.
Qendrat e strehimit janë hapur në të gjitha zonat e Big Island për banorët që kanë nevojë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Uraganet klasifikohen nga kategoria 1 deri në 5, ndërsa “Lala” është në kategorinë më të ulët, ku zakonisht priten dëme të kufizuara. Megjithatë, reshjet e jashtëzakonshme mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dheu edhe nga një uragan i kësaj fuqie./mxh
