Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën “100%” në luftën kundër Rusisë dhe do të qëndrojë në krah të Kievit “në orën e tij të nevojës”. Kështu deklaroi kryeministri britanik Andy Burnham, pas paralajmërimeve të Moskës ndaj Londrës për furnizimin e Ukrainës me dronë.
Rusia akuzon Britaninë se po thellon përfshirjen e saj në konflikt, pas raportimeve të gazetës “The Times” se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur për herë të parë në sulme me rreze të gjatë brenda territorit rus.
Burnham tha se mbështetja britanike është në përputhje me qëndrimin e Londrës ndaj luftës, të cilën e cilësoi si të paligjshme dhe të udhëhequr nga presidenti rus Vladimir Putin.
Ukraina ka përdorur dronë me rreze të gjatë për të goditur rafineri nafte dhe objekte logjistike në territorin rus. Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka konfirmuar nëse dronët e përdorur në këto sulme janë prodhim britanik.
Gjatë një prononcimi për mediat në West Midlands, Burnham foli edhe për kontaktin e tij me një person që u paraqit si shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles. Kryeministri tha se komunikimi ishte “minimal” dhe “pa ndonjë pasojë”, ndërsa shtoi se e raportoi menjëherë rastin, pasi kuptoi se bëhej fjalë për një situatë që duhej referuar tek autoritetet./mxh
