E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet ende për t’u zgjidhur te Interi, pasi mesfushori shqiptar nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cristian Chivu.
Interi kërkon ta shesë 24-vjeçarin për rreth 10 milionë euro, por nuk përjashtohet edhe huazimi me të drejtë blerjeje. Në garë për Asllanin është futur Sassuolo, ndërsa më herët interes kishte shfaqur edhe Cagliari.
Klubi sard ka kontaktuar Interin, por e ka konsideruar të lartë kërkesën prej rreth 10 milionë eurosh. Në janar, për situatën e Asllanit ishte interesuar edhe Girona, ndërsa së fundmi një sondazh ka bërë edhe Hull City në Angli.
Mesfushori shqiptar ka kontratë me Interin dhe klubi po kërkon një zgjidhje përfundimtare për të gjatë merkatos.
Për momentin nuk ka marrëveshje me asnjë skuadër dhe Asllani ka në dispozicion edhe të paktën dy javë për të përcaktuar të ardhmen e tij./mxh
