Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.
Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit.
Si rezultat i mosarritjes së një konsensusi mes partive politike parlamentare për emrin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kuvendi i dalë nga votimet e 7 qershorit ka mbetur pa u konstituuar, me gjithë kalimin e afatit kushtetues për një gjë tillë, teksa subjektet politike duken ende larg një marrëveshjeje për presidentin.
Çfarë nëse kreu i ri i shtetit të Kosovës nuk zgjidhet deri më 4 tetor? Kush do të udhëhiqte me Kosovën pas kësaj date?
Interpretimet janë të ndryshme, e një situatë e tillë nuk është paraparë nga akti më i lartë juridik në Kosovë – Kushtetuta.
Njohës të zhvillimeve politike e juridike në Kosovë konsiderojnë se nuk ka bazë kushtetuese që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga një ushtrues i detyrës së presidentit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.
Por, në Lëvizjen Vetëvendosje – parti e cila i fitoi zgjedhjet e fundit – vlerësojnë se postin do të mund ta ushtronte kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.
Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.
“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, shprehet ai.
Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.
Ai konsideron se mungesa e presidentit me mandat kushtetues nuk është çështje formale – duke theksuar rolin që presidenti e ka në funksionimin dhe në formimin e institucioneve, në përfaqësimin e vendit, në sigurinë dhe mbrojtjen, dhe në procedurat e tjera që Kushtetuta ia rezervon kreut të shtetit.
“Mungesa e një personi që ka bazë kushtetuese për t’i ushtruar këto kompetenca do ta vendoste vendin përballë një krize të re institucionale dhe kushtetuese, për të cilën Kushtetuta nuk ofron një mekanizëm të qartë zgjidhjeje”, thotë ai.
Situata shihet ndryshe në LVV.
Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, thotë se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit.
Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, thotë ai.
“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaron Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.
Cakolli nga KDI thotë se interpretimi që afati gjashtëmujor automatikisht ripërtërihet me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit nuk qëndron në aspektin kushtetues.
Ai vlerëson se kjo do të ishte edhe e rrezikshme, pasi do të relativizohej rëndësia e zgjedhjes së presidentit.
“Në qoftë se do të mund të zgjidhnim një kryetar Kuvendi, kurdo që është në prag të skadimit të afatit gjashtëmujor, do të kishim vetëm ushtrues detyre të presidentit në vazhdimësi, e që, si e tillë nuk është ideja e as qëllimi pse ekzistojnë dispozitat kushtetuese në fjalë”, thotë Cakolli.
Sipas Kolshit nga IKD, afatet kushtetuese nuk mund të trajtohen si afate orientuese, ndërsa Kuvendi nuk mund ta normalizojë vendimmarrjen jashtë tyre.
“Nëse, megjithatë, arrihet në situatën kur përfundon afati gjashtëmujor, ndërsa presidenti i ri nuk është zgjedhur, atëherë kemi një paqartësi serioze”, thotë ai.
Në kërkim të një marrëveshjeje për presidentin, LVV-ja nuk ka propozuar kandidatin e saj për kryetar të ri të Kuvendit, duke lënë pezull konstituimin e legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë edhe formimit të qeverisë së re.
Mungesa eventuale e një presidenti të zgjedhur pas 4 tetorit, sipas Cakollit, do të pamundësonte shumë procedura që duhet të ndiqen.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
Zgjedhja bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, apo me 80 vota nga 120 deputetët sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.
Procesi i zgjedhjes së presidentit mund të organizohet deri në tri votime. Nëse as në rundin e tretë – kur kërkohen 61 vota nga të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë – asnjëri nga kandidatët nuk i merr votat e nevojshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./Mxh
