Nga Leonard Veizi
Ajo ishte bionde, e gjatë, e bukur dhe elegante – një kombinim që në vitet ’90 dukej sikur ishte krijuar posaçërisht për pasarelat. Ndaj nuk u bë thjesht një modele e famshme; por u shndërrua në një nga fytyrat që mishëruan epokën e supermodeleve…
…Më 25 gusht 1970 – Në Rajnbërk të Gjermanisë Perëndimore lind Klaudia Shifer, modelja gjermane që gjatë viteve ’90 do të shndërrohej në një nga fytyrat më të njohura të modës në botë.
Në adoleshencë, Shifer nuk e kishte menduar se do të bëhej modele. Ajo u zbulua në moshën 17-vjeçare në një klub nate në Dyseldorf, nga një agjent i një agjencie modelingu. Fytyra e saj bionde, tiparet e theksuara dhe ngjashmëria me ikonat e kinemasë së viteve të mëparshme e bënë shpejt të dallueshme.
Karriera ndërkombëtare nisi në fund të viteve ’80, kur Shifer u shfaq në fushata dhe kopertina të revistave prestigjioze të modës. Por kthesa e madhe erdhi kur ajo u bë një nga modelet kryesore të Shanelit, nën drejtimin artistik të Karl Lagerfeldit. Bashkëpunimi me stilistin gjerman do të ishte vendimtar për krijimin e imazhit të saj si një prej supermodeleve të epokës.
Në fillim të karrierës, shtypi e krahasoi shpesh me Brixhit Bardo, për shkak të flokëve biondë, pamjes sensuale dhe një kombinimi të veçantë mes elegancës dhe sensualitetit. Por Shifer shumë shpejt e krijoi identitetin e saj.
Vitet ’90 ishin dekada e supermodeleve. Emri i Klaudia Shifer u vendos në të njëjtën ligë me Naomi Kembëll, Sindi Krouford, Linda Evangelista dhe Kristi Tërlington. Ato nuk ishin më thjesht modele që shfaqeshin në pasarelat e modës. U bënë personazhe globale, me kontrata milionëshe, kopertina revistash dhe një ndikim që kapërcente kufijtë e industrisë së modës.
Shifer u shfaq në qindra kopertina revistash dhe punoi me disa prej fotografëve dhe shtëpive më të rëndësishme të modës. Fytyra e saj u bë pjesë e reklamave ndërkombëtare, ndërsa emri filloi të përdorej si sinonim i epokës së artë të supermodeleve.
Në vitet e mëvonshme ajo u shfaq edhe në filma dhe programe televizive, duke provuar të zgjerojë karrierën përtej modës. Ndërkohë, u angazhua edhe në projekte të lidhura me dizajnin dhe stilin.
Ajo që e dalloi Shiferin ishte aftësia për të mbetur një figurë publike edhe pasi epoka e supermodeleve filloi të ndryshonte. Nga pasarelat e Parisit, Milanos dhe Nju-Jorkut, ajo kaloi në një fazë tjetër të karrierës, duke e kthyer famën e modeles në një markë personale.
Klaudia Shifer mbetet një nga fytyrat që përcaktuan modën e viteve ’90. Në një kohë kur revistat e modës mund të krijonin yje botërorë brenda një nate, ajo ishte ndër ato gra që e shndërruan modelingun nga një profesion në një fenomen të kulturës pop.
Biondja nga Rajnbërku nuk ishte vetëm një modele e suksesshme. Ajo ishte një nga simbolet e epokës së supermodeleve.
