Pekini po pret një prej eventeve më të veçanta të teknologjisë, me nisjen e edicionit të dytë të Lojërave Botërore të Robotëve Humanoidë. Gara, e cila nisi të shtunën, do të zgjasë pesë ditë dhe do të përfshijë 1,301 përballje në 51 disiplina të ndryshme.
Robotët nuk do të testohen vetëm në sporte tradicionale. Programi përfshin kategori sportive, performanca artistike, si edhe prova që synojnë të tregojnë se sa të aftë janë këto makina në situata të jetës reale.
Krahas vrapimit 100 metra dhe futbollit, këtë vit në program janë futur edhe disiplina si Tai Chi, pingpongu, tenisi, tërheqja e litarit dhe ngritja e peshave.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit do t’i kushtohet përdorimit praktik të robotëve. Organizatorët kanë shtuar 14 kategori të reja që lidhen me fusha si shërbimet në familje, hoteleria dhe logjistika.
Interesi ndërkombëtar për eventin është rritur ndjeshëm. Në edicionin e këtij viti marrin pjesë 666 ekipe nga 16 shtete të shpërndara në gjashtë kontinente, ndërsa numri total i robotëve që do të garojnë ka arritur në 2,056.
Shifra është rreth katër herë më e lartë se ajo e edicionit të kaluar, duke reflektuar ritmin e shpejtë me të cilin po zhvillohet teknologjia e robotëve humanoidë./mxh
