Një gjykatë federale në SHBA ka rrëzuar politikën e administratës amerikane për pezullimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, një vendim që prek edhe aplikantë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja federale Jeannette A. Vargas në Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe përbën një goditje ligjore për politikën e emigracionit të administratës së Presidentit Donald Trump.
Masa e shpallur nga Departamenti i Shtetit në janar ndalonte përpunimin e vizave të emigrimit për shtetasit e vendeve të përfshira në listë. Administrata amerikane e kishte justifikuar vendimin me argumentin se aplikantët nga këto shtete paraqisnin rrezik më të madh për t’u bërë barrë financiare për sistemin publik amerikan.
“Për të siguruar që emigrantët nga vendet me rrezik të lartë të mos përdorin në mënyrë të paligjshme ndihmën sociale në Shtetet e Bashkuara ose të mos bëhen barrë publike.”
Por gjykata arriti në përfundimin se kjo politikë nuk ishte në përputhje me ligjin amerikan. Sipas gjyqtares Vargas, Sekretari i Shtetit Marco Rubio kishte tejkaluar kompetencat që i jep ligji kur urdhëroi pezullimin e vizave duke u bazuar te shtetësia e aplikantëve.
Gjykata vlerësoi se procesi i vizave duhet të bazohet në rrethanat dhe kualifikimet individuale të secilit aplikant dhe jo në një ndalim të përgjithshëm të lidhur vetëm me vendin e origjinës.
Si pasojë e vendimit, refuzimet e vizave që janë bërë vetëm mbi bazën e kësaj politike duhet të anulohen dhe aplikimet duhet të shqyrtohen sërish sipas procedurave ligjore. Për shqiptarët, kosovarët dhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut që janë prekur nga pezullimi, vendimi hap rrugën për rikthimin e procesit të rregullt të shqyrtimit të aplikimeve për viza emigrimi.
Megjithatë, vendimi i gjykatës nuk e mbyll përfundimisht çështjen. Administrata amerikane ka të drejtë ta apelojë atë, ndërsa beteja ligjore pritet të vazhdojë.
Lista e plotë e vendeve të prekura nga pezullimi i vizave: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antiguan dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamasin, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjë Hercegovinën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin./mxh
