Rusia ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po përshkallëzon luftën në Ukrainë, pas vendimit të Londrës për t’i dhënë Kievit informacion të klasifikuar mbi komponentët e prodhuar në Britani që përdoren për raketat me rreze të gjatë veprimi Scalp.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se mbështetja e re britanike për Ukrainën “po i hedh benzinë zjarrit” dhe e akuzoi Londrën se po pengon përpjekjet për paqe.
“Britania po i hedh benzinë zjarrit në mënyrë metodike dhe të rregullt dhe po komploton në mënyrë metodike dhe të rregullt për të parandaluar çdo përparim në procesin e paqes”, deklaroi Peskov.
Duke komentuar vizitën e kryeministrit britanik Andy Burnham në Kiev dhe mbështetjen e re ushtarake për Ukrainën, Peskov tha se Britania po merr pjesë drejtpërdrejt në luftë në anën e Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit paralajmëroi gjithashtu se ushtria ruse po mbledh të dhëna për të identifikuar vendndodhjet e objekteve ku prodhohen raketat dhe për t’i goditur ato.
Deklaratat e Moskës vijnë në një kohë kur Britania ka rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën, ndërsa Kievi kërkon forcimin e kapaciteteve të tij të mbrojtjes dhe sulmeve me rreze të gjatë veprimi./ad
