Dy ndeshje të javës së dytë të Superiore do të zhvillohen pa praninë e tifozëve për shkak të dënimeve të dhëna nga Komisioni i Disiplinës i FSHF-së.
Skënderbeu do të presë Dinamon më 31 gusht, në orën 18:30, në stadiumin e Korçës, pa spektatorë. Klubi korçar po shlyen një dënim prej dy ndeshjesh të dhënë pas incidenteve në sfidën ndaj Laçit në sezonin e kaluar.
Pa tifozë do të luhet edhe ndeshja Elbasani-Vllaznia, e programuar të shtunën në orën 18:30 në “Elbasan Arena”. Elbasani u dënua me dy ndeshje pa spektatorë pas incidenteve në takimin e fundit të sezonit të kaluar ndaj Tiranës.
Vendimi i 11 majit parashikonte gjithashtu një gjobë prej 500 mijë lekësh për klubin. Sipas Komisionit të Disiplinës, në atë ndeshje pati hyrje të personave të paautorizuar në fushë, hedhje sendesh dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve dhe lojtarëve.
Përballja me Vllazninë do të jetë ndeshja e parë e dënimit për Elbasanin në sezonin 2026-2027./mxh
