Britania do t’i japë Ukrainës informacionin teknik për komponentët britanikë të raketave të lundrimit SCALP, duke i hapur rrugën Kievit për t’i prodhuar këto armë brenda vendit.
Vendimi erdhi pas disa muajsh negociatash mes Ukrainës dhe Francës për licencimin dhe prodhimin lokal të raketave. Me informacionin e siguruar nga Britania, Ukraina pritet të jetë në gjendje t’i montojë raketat në territorin e saj.
Ministri britanik për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes, Luke Pollard, tha se ky hap do të ndihmojë në forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës. Raketa njihet si SCALP në Francë dhe Storm Shadow në Britani. Ajo mund të godasë objektiva në një distancë prej më shumë se 250 kilometrash dhe është projektuar për sulme të sakta ndaj objektivave të përcaktuara paraprakisht.
Ukraina i ka përdorur këto raketa kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturore ruse, përfshirë qendra komanduese dhe objekte të industrisë së mbrojtjes në territoret e pushtuara ukrainase dhe brenda Rusisë.
Britania ishte vendi i parë që i dërgoi Ukrainës raketa të tilla me rreze të gjatë veprimi, në vitin 2023. Tani, transferimi i teknologjisë shënon një tjetër hap në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, pasi vendet aleate po kalojnë nga dërgimi i armëve të gatshme te ndihma për prodhimin e tyre në Ukrainë.
Njoftimi u bë gjatë takimit në Kiev të “Koalicionit të të Gatshmëve”, ku një nga çështjet kryesore ishte mbrojtja e Ukrainës nga sulmet e intensifikuara ruse me raketa. Në një deklaratë të përbashkët, aleatët dënuan sulmet ruse ndaj qyteteve, infrastrukturës kritike dhe civilëve dhe u zotuan të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës si një përparësi urgjente.
Megjithatë, nevoja më e madhe e Ukrainës mbetet mbrojtja nga raketat balistike. Për këtë qëllim, Kievi varet kryesisht nga sistemet amerikane Patriot dhe raketat interceptuese PAC-3. Ukraina i ka kërkuar SHBA-së jo vetëm më shumë raketa interceptuese, por edhe leje për t’i prodhuar ato në territorin e saj. Kjo do t’i siguronte Kievit një furnizim më të qëndrueshëm në të ardhmen.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte dhënë më herët sinjale se një leje e tillë mund të miratohej. Në samitin e NATO-s në fillim të korrikut, ai tha se SHBA-ja do t’i jepte Ukrainës licencën për prodhimin e interceptuesve. Por disa javë më vonë, Trump tha se ende nuk ishte marrë një vendim përfundimtar dhe e përshkroi transferimin e kësaj teknologjie si një hap shumë të rëndësishëm.
Edhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha më pas se nuk pritej një marrëveshje për prodhimin afatgjatë para dimrit, duke theksuar se teknologjia PAC-3 mbetet e kontrolluar rreptësisht nga rregullat amerikane të eksportit.
Pasiguritë për prodhimin e Patriotëve vijnë në një moment kritik për Ukrainën, e cila po përballet me mungesë të raketave interceptuese, ndërsa Rusia ka shtuar sulmet me raketa balistike dhe priten sulme të reja ndaj rrjetit energjetik ukrainas gjatë dimrit./mxh
