Last Updated on 26/08/2026 by Monika
Dy punonjës në Aeroportin e Frankfurtit kanë humbur jetën pasi u infektuan me malarie, në një shpërthim të rrallë të sëmundjes në një zonë jo-endemike, njoftuan autoritetet gjermane të mërkurën.
Viktima e parë u regjistrua në fillim të korrikut, megjithëse malaria u konfirmua si shkak i vdekjes vetëm pasi pacienti ndërroi jetë, sipas zyrës shëndetësore të Frankfurtit. Rasti i dytë u regjistrua në gusht dhe u bë publik të mërkurën nga operatori i aeroportit, Fraport.
Në total, gjashtë punonjës të aeroportit janë infektuar me malarie, ndërsa katër të mbijetuarit po shërohen pas marrjes së trajtimit, bëri të ditur zyra e shëndetësisë.
Instituti Robert Koch i Gjermanisë kishte konfirmuar më herët katër raste mes stafit të aeroportit, të cilët ishin sëmurur ndërmjet 4 dhe 6 korrikut.
Sipas zyrtarëve, dyshohet se një ose disa mushkonja të infektuara të llojit Anopheles kanë mbërritur nga një rajon ku malaria është endemike, me shumë gjasë në bordin e një avioni. Kjo mund të ketë shkaktuar transmetimin e sëmundjes brenda zonës së aeroportit.
Pas rasteve të konfirmuara, Fraport ka vendosur kurthe për mushkonjat në aeroport dhe po kryen ekzaminime laboratorike të insekteve të kapura për të përcaktuar nëse ato janë të infektuara.
Punonjësve të aeroportit u është këshilluar të kërkojnë menjëherë kujdes mjekësor nëse shfaqin simptoma tipike të malaries dhe t’u bëjnë të ditur mjekëve se punojnë në aeroport.
Zyra shëndetësore e Frankfurtit e ka përshkruar të ashtuquajturën “malaria e aeroportit” si një formë “shumë të rrallë” të transmetimit të sëmundjes jashtë zonave ku malaria është endemike.
“Transmetimi nga personi në person nuk luan asnjë rol në malarien e aeroportit”, tha një zëdhënës i zyrës shëndetësore.
Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave Anopheles të cilat janë vetë të infektuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundja mund të jetë kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet.
Simptomat e malaries përfshijnë ethe, të dridhura dhe dhimbje koke, ndërsa në raste të rënda mund të shfaqen edhe konfuzion, kriza dhe vështirësi në frymëmarrje./mxh
