Nga Leonard Veizi
Në psikologji quhet post-holiday blues. Në shqip, më thjesht: rënia pasi ke qenë lart. Ose “Depresioni Blu”.
Për dhjetë ditë jetove si njeri. Pa alarm. Pa shef. Pa e ditur se çfarë dite është. Pastaj gjithçka mbaroi dhe përsëri duhet të kthehesh. Në zyrë. Në trafikun e Tiranës në orën 07:45. Në 247 email-e që janë shtuar ndërkohë. Në fatura që, çuditërisht, nuk kanë marrë pushime asnjë ditë.
Kjo është e gjithë filozofia e “depresionit blu”: more një dozë antistresi dhe tani duhet të përballesh sërish me fabrikën e stresit.
Paradoksi është brutal: pushimet të bëjnë mirë, prandaj kthimi të duket më keq. Në plazh mëson një ritëm tjetër. Zgjohesh kur do. Ha kur të vjen. Mund të qëndrosh në det deri në perëndim. Në qytet ritmi është krejt ndryshe: ora bie 06:30 dhe për një sekondë je i bindur se alarmi është armiku yt personal.
Nuk është vetëm alarmi, por paketa e plotë: zhurma, vapa e asfaltit, telefonatat, grupet e WhatsApp-it që nuk kanë pushuar kurrë, lajmet, çmimet. Dhe, mbi të gjitha, ndjesia se sapo e shijove lirinë, ta vodhën sërish.
Nuk ke humbur shtëpinë dhe as punën; ke humbur vetëm të drejtën për të mos bërë asgjë pa u ndjerë fajtor. Në vitin 2026, kjo mjafton për të të rrëzuar humorin, sepse kemi harruar diçka me rëndësi: kemi gjithnjë e më shumë aparate që na kursejnë kohë, e gjithnjë e më pak kohë për të mos bërë asgjë.
Celulari e vulosi këtë realitet. Dikur dilje nga zyra dhe puna mbetej pas derës. Sot e ke zyrën në xhep: edhe në plazh, edhe në shtrat. Kemi ndërruar vetëm sfondin, jo jetën.
Shtatorin nuk e ndalim dot, të hënën as që bëhet fjalë, e trafikun e Tiranës nuk e bindim dot të mos ekzistojë vetëm se ne u kthyem nga një plazh i Jon-it. Por kthimi mund të bëhet më pak brutal nëse zbatojmë një ritëm më gradual për veten.
Gjëja e parë është të shmangim kthimin të dielën në darkë për të dalë në punë të hënën – kjo nuk është rikthim, por vetëvrasje organizative. Është mirë t’i lëmë vetes një ditë ndërmjetëse për të zbrazur valixhen, për të fjetur e për të pirë një kafe pa vrap.
Gjithashtu, nuk ka pse të hapen të gjitha frontet që ditën e parë. Bota ka vazhduar edhe pa ne dhe nuk ka pse ta shpëtojmë brenda tetë orëve, sepse në këtë fazë më pak është më shumë.
Nga ana tjetër, nuk duhet braktisur ajo që na bëri mirë gjatë pushimeve: nëse ke eceur, vazhdo të ecësh; nëse ke lexuar, lexo; e nëse qëndrove me familjen, rri me familjen, sepse pushimet mbarojnë, por zakoni i mirë jo.
Kujdes i veçantë i duhet kushtuar edhe telefonit. Jo çdo mesazh kërkon përgjigje menjëherë, jo çdo email është urgjent dhe shtrati nuk është degë e zyrës.
Më mirë është të rregullojmë gjumin sesa botën, pasi një mbrëmje pa ekran bën më shumë se dhjetë këshilla motivuese në Instagram.
Tekembramja, fundjava nuk duhet kthyer në një listë punësh; nuk kemi nevojë për “pushim nga pushimet”, por vetëm për një drekë të gjatë, një shëtitje jashtë qytetit ose luksin e madh modern: disa orë pa bërë asgjë.
Të jemi të qartë: një javë e zymtë pas pushimeve është normale. Por nëse trishtimi, ankthi dhe pagjumësia zgjasin me javë dhe të marrin energjinë, nuk është më “blu” poetike – aty duhet profesionist, jo status në Facebook.
“Depresioni blu” është një emër i bukur. Ka brenda detin, qiellin, melankolinë. Ironia është se vjen nga deti blu për të hyrë në një blu tjetër.
Në fund, pamja është kjo: një valixhe për t’u zbrazur, një tavolinë që të pret, një alarm që do të bjerë të nesërmen dhe një foto nga pushimet që të del në telefon pikërisht kur trafiku ka ngecur te Zogu i Zi apo 21 Dhjetori.
Atëherë e kupton se pushimet nuk ikën, por kanë mbetur brenda. Problemi është vetëm të mësosh të jetosh pa to, pa e lënë këtë blunë të të bindë se bashkë me verën mbaroi edhe jeta e mirë.
