Rafael Leao do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi sulmuesi portugez ka vendosur të largohet nga Milani dhe të transferohet te Galatasaray. Pas disa ditësh reflektimi dhe diskutimesh për të ardhmen e tij, Leao ka zgjedhur destinacionin turk, duke i dhënë fund një periudhe prej shtatë vitesh me fanellën kuqezi.
Në ditët e fundit, për sulmuesin portugez kishte hyrë në skenë edhe Aston Villa. Klubi anglez kishte shfaqur interes për lojtarin dhe kandidatura e skuadrës nga Birminghami kishte bërë që e ardhmja e Leaos të mbetej e hapur. Megjithatë, zgjedhja përfundimtare e futbollistit ka qenë Galatasaray.
Marrëveshja parashikon që Milani të arkëtojë një shifër totale prej 44 milionë eurosh, mes pjesës fikse dhe bonuseve të lidhura me transferimin. Përveç kësaj, klubi kuqezi do të ruajë edhe 20% nga një shitje e mundshme e ardhshme e Rafael Leaos.
Në planin personal, portugezi pritet të nënshkruajë një kontratë me një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon, së cilës do t’i shtohen edhe bonuse të tjera. Leao pritet të udhëtojë drejt Stambollit, ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën e tij të re me Galatasaray./mxh
