Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën e fshatit Tërbuq, në Gjirokastër, duke shkaktuar një situatë shqetësuese.
Sipas informacioneve paraprake, gjithçka ka nisur pas djegies së një automjeti. Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Gjirokastër është njoftuar nga Policia e Shtetit ndërsa forcat zjarrfikëse janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
Por, për shkak të erës dhe bimësisë së thatë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke marrë drejtimin e fshatrave Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël.
Për shkak të përmasave të zjarrit, në terren është angazhuar i gjithë efektivi i MZSH-së Gjirokastër, i cili po punon për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Operacioni vijon, ndërsa prioritet mbetet parandalimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara./mxh
