Numri i viktimave nga përmbytjet katastrofike në kufirin mes Nepalit dhe Kinës ka kaluar 800, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë të vështirësohen nga rreziku i përmbytjeve të reja dhe rrëshqitjet e dheut.
Policia nepaleze ka gjetur 788 trupa, ndërsa Kina raporton 16 viktima në Tibet, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 804.
Mbi 3 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur, mes tyre qindra shtetas të huaj.
Autoritetet kineze po monitorojnë gjithashtu një liqen të ri, të krijuar nga një rrëshqitjet e dheut, pasi ekziston frika se uji i grumbulluar mund të çajë pengesën prej balte dhe mbetjesh, duke shkaktuar një tjetër valë përmbytjesh.
Mes operacioneve të shpëtimit, ekipet arritën të nxirrnin gjallë nga rrënojat një grua 97-vjeçare, disa ditë pas katastrofës.
Ndërkohë, fati i qindra punëtorëve të hidrocentraleve në Nepal mbetet i paqartë.
Në ndihmë të operacionit kompleks të kërkim-shpëtimit kanë mbërritur ekipe të specializuara nga India dhe Kina.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar 3,6 milionë dollarë ndihmë emergjente, ndërsa rrëshqitja e dheut ka bllokuar edhe një nga autostradat kryesore, që lidh kryeqytetin Katmandu me jugun e Nepalit./mxh
