Nga Denis Dyrnjaja
Dhe habitemi pse vritemi për një fjalë goje…
Ta dërgosh fëmijën, vëllain, nipin apo kushëririn në punë dhe të ta dhunojnë në mënyrë shtazarake… është jo vetëm skandaloze, por edhe e pafalshme.
Përfyrtroni për një moment.
Një 18-vjeçar del nga shtëpia.
Nuk del për të vjedhur.
Nuk del për të bërë keq.
Nuk del për të vrarë apo shitur drogë.
Del për të punuar.
Del për të fituar me djersën e tij.
Del me idenë te jetë dhe bëhet i vlefshëm për vete dhe familjen.
Shkon në punë kur shumë nga moshatarët e vet kërkojnë argëtimin e dëfrimin dhe në fund të punës së kryer kërkoi shpërblimin. Edhe nëse ai ka gabuar në ndonjë çast kjo si jep asnjë të drejt askujt që ta dhunojë.
Kjo është pak a shumë ajo që ka ndodhur së fundi në Golem, në ambientet e “Flar Boutique Hotel”, ku sikurse raportohet pronarët dhe llagapi qark tyre gjetën mënyrën më skandaloze për t’iu përgjigjur kërkesës së 18 vjeçarit për pagën duke e dhunuar brutalisht e bërë për spital.
Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh.
Ne u themi të rinjve, punoni, mos rrini rrugëve, bëhuni të vlefshëm jo parazitë, punoni ndershëm e fitoni ndershëm, bëhuni të pavarur.
Dhe kur ata na dëgjojnë…
Kur shkojnë në punë…
Kur lodhen…
Kur djersijnë…
Kur kërkojnë pagën e tyre…
i shpërblejmë me dhunë…
Dhe nuk mbaron këtu, madje këtu është pikenisja e një kalvari më të rëndë pasojash. Sepse dhuna prodhon dhunë.
Ngjarja ka shkaktuar revoltën e xhaxhait të adoleshentit të dhunuar, i cili i gjendur përballë këtij fakti në gjaknxehtësi ka marrë një armë zjarri dhe është nisur drejt hotelit ku i kanë dhuruar nipin mesa duket për t’i “dhënë mësimin” pronarëve dhunues.
Për fat, policia ka ndërhyrë dhe parandaloi përshkallëzimin.
Sepse sot mund të ishim duke folur për një tragjedi me të vrarë.
Por kjo është vetëm shmangia e dëmit ekstrem.
Dëmi i madh ka ndodhur tashmë dhe nuk është vetëm e një 18 vjeçari por e shume te tjerëve si ai.
Një adoleshent që zgjedh punën ka marrë si shpërblim dhunën.
Xhaxhai i tij përfundon në burg vetëm se mendoi të bënte drejtësi me vetëgjyqësi.
Shihni çfarë pasojash prodhon dhuna.
Fillon me fyrrje e përçmim.
Pastaj vjen një shpullë a një grusht.
Pastaj vjen revolta.
Pastaj arma.
Pastaj policia.
Pastaj burgu.
Pastaj pason sërish revolta dhe hakmarrja.
Dhe në fund mbase funerali.
A ia vlen?
Për çfarë?
Për një pagë?
Për një konflikt që mund të zgjidhej me qetësi, tolerancë dhe mirëkuptim.
Mesazhi i ngjarjes është dhe më i rëndë, të rinjtë mësojnë se nëse punon shpërblehesh me dajak dhe frikë për atë që të takon.
Në vend se të mësojnë se puna është dinjitet.
Se djersa ka vlerë.
Se paga është e drejtë.
Se nëse dikush i bën padrejtësi, ekziston një zgjidhje.
Ata marrin mesazhin e gabuar.
Kamerieri 18 vjeçar në ngjarjen e Golemut dhe shumë si ai mbartin me vete një traumë që mund t’i zhbëjë besimin se duhet dhe ja vlen të punosh.
Mund të mbajë zemërim për t’u hakmarrë tanimë dyfish për vete dhe xhaxhain e tij që do të vuaj vite burg vetëm pse nipi i tij u dhunua ndersa po punonte. Pra nga një adoleshent të shëndetshëm sapo kemi krijuar kushtet për të patur nesër një të ri që i futet botës së krimit, i detyruar.
Një i ri që duhet të ishte shembull për shoqërinë, sepse zgjodhi punën, u bë viktimë e dhunës dhe nesër me gjasë bëhet vetë i dhunshëm, në një shoqëri që nuk jetohet, por mbijetohet.
Le ta themi për çdo prind, çdo nënë, çdo baba, motër a vëlla dhe mbi të gjitha për një shoqëri të tërë.
Fëmija shkon në shkollë për të mësuar e jo për t’u dhunuar, shkon në punë për të punuar e kthyer në shtëpi me pagë, jo me plagë.
