Last Updated on 31/08/2026 by EL
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka publikuar një dokument me pyetje dhe përgjigje mbi Rregulloren e Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e GJKKO-së”, e cila do të hyjë në fuqi në 1 shtator 2026.
Rregullorja, e hartuar nga kryetari i GKKO-së, Erion Bani, përcakton një sërë rregullash për sigurinë, aksesin e publikut dhe medias, zhvillimin e seancave gjyqësore, si dhe sjelljen brenda ambienteve të gjykatës.
Sipas dokumentit, çdo person që hyn në GJKKO duhet të paraqesë dokument identifikimi dhe t’i nënshtrohet kontrollit fizik dhe elektronik nga personeli i sigurisë dhe/ose Garda e Republikës. Refuzimi i kontrollit apo pamundësia për të konfirmuar identitetin sjell ndalimin e hyrjes.
Në ambientet e gjykatës nuk lejohen armët, municionet, eksplozivët, thikat dhe sendet e tjera të mprehta, substancat e rrezikshme, alkooli, enët prej qelqi, çantat me përmasa shumë të mëdha, pajisjet e fshehta regjistruese dhe dronët. Në rastet kur mbajtja e një sendi përbën vepër penale, njoftohen organet kompetente.
Seancat publike dhe aksesi i medias
Sipas GJKKO, rregullorja parashikon se seancat gjyqësore publike mbeten të hapura për publikun, deri në plotësimin e kapacitetit të sallës. Nëse seanca zhvillohet me dyer të mbyllura, publiku dhe media duhet të largohen sipas udhëzimeve të personelit të sigurisë.
Kur vendet në sallë nuk mjaftojnë për të gjithë të interesuarit, përparësi kanë subjektet në gjykim, familjarët dhe më pas përfaqësuesit e akredituar të medias. Kur numri i familjarëve është i lartë, parashikohet caktimi i një kuote vendesh në mënyrë që të ruhet edhe një kuotë përfaqësuese për median.
Një nga pikat e rëndësishme të rregullores lidhet me akreditimin e gazetarëve. GJKKO sqaron se akreditimi është një procedurë administrative për organizimin e marrëdhënieve me median dhe nuk përbën licencë për ushtrimin e gazetarisë apo autorizim për informimin e publikut.
Sipas rregullores, edhe gazetari i paakredituar mund të ndjekë një seancë publike, në të njëjtat kushte si pjesëtarët e publikut dhe në varësi të vendeve të disponueshme.
Ndërkohë, përfaqësuesit e akredituar të medias mund të ndjekin seancat publike pa pasur nevojë për autorizim paraprak, përveç rasteve kur kapaciteti i sallës, kërkesat e sigurisë, interesi i lartë publik apo nevojat e administrimit të procesit kërkojnë një procedurë të posaçme për menaxhimin e aksesit.
Filmimet dhe fotografimet kërkojnë autorizim
Rregullorja përcakton se akreditimi nuk i jep medias të drejtën automatike për të filmuar, fotografuar, regjistruar audio apo transmetuar seancat gjyqësore.
Për këto veprimtari, media duhet të paraqesë kërkesë të paktën 24 orë përpara fillimit të seancës, ndërsa filmimi, fotografimi, regjistrimi ose transmetimi mund të kryhet vetëm pas autorizimit paraprak të trupit gjykues.
Gjykata parashikon gjithashtu mundësinë që të realizojë vetë regjistrimin audioviziv të seancave publike dhe, me vendim të trupit gjykues, pjesë të këtij materiali t’ia vërë në dispozicion medias.
Edhe filmimet, fotografimet dhe intervistat në hollin e GJKKO-së kërkojnë autorizim nga kryetari i Gjykatës ose personi i autorizuar prej tij.
Rregulla edhe për veshjen dhe përdorimin e telefonit
Në ambientet e gjykatës kërkohet veshje e rregullt dhe dinjitoze, në përputhje me solemnitetin e institucionit. Rregullorja parashikon ndërhyrje në rastet e veshjeve tepër të zbuluara, sportive ose që përmbajnë mesazhe fyese, kërcënuese, diskriminuese, politike apo propagandistike.
Në sallën e gjykimit ndalohen bisedat me zë të lartë, reagimet demonstrative, ndërhyrjet dhe komunikimi pa leje me të pandehurin. Gjithashtu, nuk lejohet përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike, përveç rasteve të parashikuara në rregullore.
Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët mund të përdorin laptopë për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, ndërsa personat me aftësi të kufizuara mund të përdorin pajisjet elektronike ndihmëse të domosdoshme.
Akreditimi mund të ankimohet
Kërkesa për akreditim shqyrtohet dhe vendimi njoftohet brenda 5 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit të plotë. Nëse ky afat përfundon pa njoftim me shkrim, rregullorja parashikon se kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje.
Akreditimi është vjetor, personal dhe i patransferueshëm. Ai mund të kërkohet nga gazetarë, kameramanë, fotografë, teknikë transmetimi dhe profesionistë të tjerë të medias, përfshirë gazetarët e pavarur.
Vendimi për refuzimin, pezullimin apo revokimin e akreditimit duhet të jetë i arsyetuar dhe mund të ankimohet pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, sipas legjislacionit në fuqi.
Rregullorja parashikon gjithashtu që masat e sigurisë për seancat të përshtaten me nivelin konkret të riskut, i cili mund të klasifikohet si normal, i shtuar, i lartë ose kritik.
Dokumenti i publikuar nga GJKKO sqaron se planet operative të sigurisë, vendndodhja e kamerave, kodet e alarmit, itineraret e të paraburgosurve, hyrjet e gjyqtarëve dhe të dhënat e tjera sensitive mbi sistemet e sigurisë janë dokumente për përdorim të brendshëm.
Rregullorja do të rishikohet të paktën një herë në dy vjet, si dhe sa herë që ndryshimet ligjore, organizative, teknologjike apo të sigurisë e bëjnë të nevojshme.
