Christian “King” Combs ka shfrytëzuar sërish një dalje publike për të treguar mbështetjen e tij ndaj babait, Sean “Diddy” Combs, i cili ndodhet pas hekurave pas dënimit për vepra penale të lidhura me prostitucionin.
28-vjeçari u shfaq në një transmetim live të reperit DDG, ku të dy u përshëndetën dhe nisën të kërcenin së bashku. Në një moment, Christian iu drejtua drejtpërdrejt kamerës dhe përsëriti dy herë frazën “Free Pops!”, duke bërë thirrje për lirimin e babait.
DDG nuk komentoi deklaratën. Reperi vetëm buzëqeshi dhe vazhdoi të kërcente, ndërsa videoja vijoi normalisht.
Kjo nuk është hera e parë që Christian del publikisht në krah të Diddy-t. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ai dhe pjesëtarë të tjerë të familjes kanë shprehur mbështetjen e tyre për producentin dhe reperin.
Në korrik 2025, Diddy u shpall fajtor për dy akuza penale që lidhen me transportimin e personave për qëllime prostitucioni. Disa muaj më vonë, ai u dënua me 50 muaj burg federal, ndërsa kohëzgjatja e dënimit është ndryshuar më pas.
Vendimi erdhi pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth tetë javë. Juria e shpalli Diddy-n të pafajshëm për akuzat më të rënda ndaj tij, përfshirë dy akuza për trafikim seksual me forcë, mashtrim ose detyrim, si edhe akuzën për komplot kriminal.
Pas shpalljes së vendimit, familja e reperit reagoi me lehtësim ndaj faktit që ai ishte liruar nga akuzat më të rënda. Christian, i cili ndodhej jashtë gjykatës, deklaroi para gazetarëve se mezi priste momentin kur do të mund ta përqafonte të atin.
Mbështetjen e tij, Christian e ka shprehur edhe përmes muzikës. Në qershor të vitit të kaluar, ai publikoi së bashku me Kanye “Ye” West një EP me shtatë këngë, ku ishte përfshirë edhe “Diddy Free”, një titull që i referohej drejtpërdrejt situatës së babait të tij.
Ndërkohë, Diddy, 56 vjeç, vazhdon të vuajë dënimin në burg. Kohët e fundit, ai u largua nga izolimi i përkohshëm ku ishte vendosur pas një konflikti me një të burgosur tjetër në fund të korrikut./mxh
