Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se blloku po planifikon një mision të ri për këshillimin dhe trajnimin e forcave të armatosura të Libanit, duke theksuar se nisma nuk synon të zëvendësojë forcën paqeruajtëse të OKB-së në vend.
Duke folur në një konferencë për media pas një takimi joformal të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Wicklow të Irlandës, Kallas tha se misioni i planifikuar do të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve të forcave të armatosura dhe institucioneve shtetërore libaneze për të garantuar sigurinë në të gjithë vendin.
“BE-ja nuk synon të zëvendësojë UNIFIL-in. Ne po investojmë në kapacitetin e Libanit për të garantuar vetë sigurinë e tij”, tha Kallas.
Ajo tha se misioni mund të përfshijë trajnime dhe mbështetje në fusha të tilla si siguria kufitare dhe detare, si dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë së brendshme të Libanit.
Kallas tha se planifikimi i misionit po përparon mirë dhe se BE-ja synon të sigurojë një vendim të Këshillit të BE-së për nisjen e tij në tetor.
Ajo tha se BE-ja po punon ngushtë me qeverinë libaneze për të përcaktuar nevojat e saj dhe për të koordinuar kontributet e shteteve anëtare.
“Kur i numërova, kishte më shumë se 10 vende të gatshme të kontribuojnë me burime dhe personel”, tha ajo.
Sipas Kallas, ministrat diskutuan gjithashtu zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe sigurinë detare.
Ajo e përshkroi përshkallëzimin e armiqësive midis SHBA-së dhe Iranit si dëshmi se sa e brishtë mbetet situata në rajon, duke shtuar se përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit ende nuk kanë sjellë ndonjë përparim konkret.
Kallas tha se ministrat e Mbrojtjes të BE-së ranë dakord për nevojën e shtimit të mbështetjes për Ukrainën, krahas investimeve në kapacitetet mbrojtëse të vetë Evropës.
Ajo u bëri thirrje shteteve anëtare të BE-së të rishikojnë rezervat e tyre ushtarake dhe t’i ofrojnë Ukrainës kapacitetet e mbrojtjes ajrore për të cilat ka nevojë urgjente, veçanërisht raketat interceptuese Patriot që po i afrohen datës së skadimit./mxh