Last Updated on 02/09/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në mënyrën e kryerjes së kontrolleve dhe inspektimeve ndaj bizneseve. Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Rama deklaroi se nuk do të ketë më kontrolle rutinë pa paralajmërim, ndërsa theksoi se qëllimi i inspektimeve duhet të jetë ndihma ndaj bizneseve për të respektuar ligjin dhe standardet, dhe jo kapja e tyre në shkelje.
Sipas Ramës, inspektori nuk duhet të paraqitet në biznes si një “skenë krimi”, por si përfaqësues i shtetit që njofton, mbikëqyr dhe ndihmon subjektin të korrigjojë problematikat.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit me një skenë krimi, por si shteti që njofton, që mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjosh. Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët”, u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu se gjoba duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para, duke paralajmëruar ndaj përdorimit të saj si mjet presioni ndaj sipërmarrësve.
“Gjoba mbi një biznes është arma e fundit dhe jo e para, dhe kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur një mënyrë tjetër për të shmangur gjobën. Dhe kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë nuk po e mbron shtetin, por po e turpëron atë”, deklaroi Rama./ad
