Këngëtarja e njohur Doja Cat ka vendosur të flasë hapur për një periudhë të vështirë të jetës së saj, duke ndarë me ndjekësit detaje për përballjen me përdorimin e substancave dhe ndikimin që ato patën në shëndetin e saj mendor.
Në disa video të publikuara në TikTok, artistja 30-vjeçare tregoi se vite më parë kishte pasur probleme me përdorimin e kokainës. Ajo sqaroi se bëhet fjalë për një periudhë që ka kaluar rreth tetë vite më parë dhe theksoi se sot është shumë larg asaj faze të jetës.
Megjithatë, Doja Cat pranoi se marrëdhënia e saj me alkoolin ka qenë më problematike. Sipas saj, konsumimi i alkoolit ndikonte në mënyrën se si i përjetonte komentet negative dhe kritikat që lexonte në rrjetet sociale.
Këngëtarja shpjegoi se shpesh interneti shndërrohej në një burim “vërtetimi” për mendimet negative që kishte për veten, ndërsa alkooli i bënte këto ndjesi edhe më të forta. Ajo theksoi se nuk e ka konsideruar veten asnjëherë alkoolike, por pranoi se alkooli ka qenë një problem real për të.
“Say So” u shpreh gjithashtu se problemet e shëndetit mendor, veçanërisht kur mbeten të padiagnostikuara ose të patrajtuara, mund të bëhen edhe më të vështira në kombinim me presionin e rrjeteve sociale.
Rrëfimi i saj vjen disa muaj pasi Doja Cat foli publikisht edhe për përvojën e saj me çrregullimin e personalitetit kufitar, duke e përshkruar atë periudhë si një përvojë jashtëzakonisht të dhimbshme.
Në një tjetër video, artistja foli edhe për ndjenjat e vetëurrejtjes që, sipas saj, kishin nisur që në fëmijëri. Ajo e lidhi këtë pjesërisht me ndryshimin e mjedisit ku u rrit dhe me faktin se në moshën tetëvjeçare u zhvendos në një zonë kryesisht të banuar nga persona të bardhë.
Doja Cat tregoi se vendosi të fliste për këto tema sepse ndjeu nevojën t’i nxirrte nga vetja dhe të ishte e sinqertë me publikun për atë që kishte përjetuar.
“E ndjeva se kjo TikTok ishte e nevojshme dhe se duhej ta nxirrja këtë nga kraharori. Sot më dukej dita e duhur”, tha ajo./mxh
