Nga Leonard Veizi
Postulati është i njohur dhe i cituar shpesh: Një foto sa një mijë fjalë. Fotoja që mbështet ekspozimin e këtij shkrimi, është e tillë.
Në breg të detit, mes zhurmës së valëve dhe turmës që noton, një grua ka zgjedhur të ulet aty ku uji i lag këmbët dhe të hapë një libër. Të gjithë të tjerët janë në det; ajo është në një botë tjetër. Kjo foto nuk është thjesht një çast veror, por një manifest kundër shkretëtirës dixhitale që po pushton çdo hapësirë të jetës sonë.
Leximi është rralluar dhe këtë nuk mund ta fshehim. Kudo shohim koka të ulura mbi ekrane – në plazh, në mal, apo në autobus. Libri është shndërruar në një objekt të dalë mode, një relike e viteve kur pushimet mateshin me faqet e lexuara dhe jo me story-t e postuara. Megjithatë, ky rrallim nuk do të thotë zhdukje: zjarri është i vogël, por ende i gjallë. Pikërisht tani, para se të jetë vonë, kemi detyrimin moral e qytetar ta mbajmë ndezur përmes një zakoni sa të thjeshtë, aq edhe revolucionar – të mbajmë një libër në dorë dhe jo një celular.
Dy botë të kundërta
Libri dhe celulari nuk janë thjesht dy mjete që kryejnë të njëjtën punë; ato përfaqësojnë dy realitete antipode.
Libri është emocion i papërtypur. Është një mesazh që nuk të jepet i gatshëm, por të detyron të ndalesh. Një fjali e vetme të vë imagjinatën në punë. Ti vetë ndërton fytyrat, zërat, peizazhet. Libri të mëson të përqendrohesh, të jetosh brenda një mendimi përtej kufirit prej tetë sekondash dhe të ndjekësh një arsyetim deri në fund.
Nga ana tjetër, celulari dhe interneti të ofrojnë gjithçka të parafabrikuar: një video 15-sekondëshe, një lajm të prerë, një mendim të gatshëm për t’u gëlltitur pa përpjekje. Të josh me lehtësinë e tij. Rreziku qëndron pikërisht në këtë lehtësi – stërvit një mendje që nuk dyshon, nuk lidh dy pika dhe mbetet peng në sipërfaqe.
Në këtë mënyrë, në vend që të fitojmë një njeri që mendon, që ndjen dhe që ka një botë të brendshme, rrezikojmë të prodhojmë vetëm konsumatorë pasivë të imazheve të huaja. Njerëz që shohin gjithçka, por nuk lexojnë asgjë. Që dinë pak nga gjithçka, por nuk kuptojnë asgjë në thellësi.
Zgjimi i mendjes
Gruaja në këtë foto nuk duhet të jetë një përjashtim ekzotik, por standardi ynë i ri. Të promovojmë librin në plazh me të njëjtën natyrshmëri që promovojmë kremin e diellit, duke e bërë çantën e plazhit të paplotë pa një volum letrar brenda. Nëse e lejojmë leximin të mbijetojë vetëm si një detyrim shkollor, do ta humbasim atë përgjithmonë.
Zgjidhja nuk kërkon fushata të mëdha. Kërkon vetëm një vendim të vogël e personal: herën tjetër që shtrihemi në rërë, të lëmë telefonin në çantë për një orë dhe t’i lejojmë vetes luksin e një historie që na merr me vete. Ta lëmë valën të na lagë këmbët, ndërsa një botë tjetër na zgjon mendjen.
Sepse pushimet nuk ekzistojnë vetëm për të çlodhur trupin nga puna, por për të zgjuar mendjen nga gjumi i rehatshëm i ekranit.
