Përdorimi i celularit nuk rrit rrezikun për tumore të trurit apo të kokës. Këtë e konfirmon rishikimi më i madh dhe më rigoroz i porositur ndonjëherë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i botuar më 3 shtator 2024 në revistën shkencore Environment International.
Studimi u koordinua nga ARPANSA – Agjencia Australiane për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore – nën drejtimin e Prof. Ken Karipidis, me 11 studiues nga 10 vende. U shqyrtuan mbi 5.000 studime, por vetëm 63 studime vëzhguese rigoroze të kryera nga viti 1994 deri në 2022 mbetën në analizën finale. Konkluzioni i tyre është i prerë: “evidence does not show a link between mobile phones and brain cancer or other head and neck cancers”.
Analiza u fokusua specifikisht te glioma, meningioma, neuroma akustike, tumoret e gjëndrrës së hipofizës, të gjëndrave të pështymës dhe tumoret pediatrike të trurit. Nuk u gjet asnjë lidhje në përgjithësi, as për përdorim të zgjatur mbi 10 vjet, as për numrin e orëve të kaluara në telefon.
Argumenti më i fortë është epidemiologjik: edhe pse përdorimi i celularëve është rritur në mënyrë masive në 20 vitet e fundit, incidenca e tumoreve të trurit ka mbetur e qëndrueshme.
Pse lindën dyshimet?
Celularët, si çdo pajisje wireless, lëshojnë rrezatim elektromagnetik në frekuenca radio. Ky është rrezatim jojonizues, që do të thotë se nuk ka energji të mjaftueshme për të dëmtuar ADN-në dhe nuk mund të shkaktojë drejtpërdrejt mutacione kancerogjene. Jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj tij në përditshmëri.
Shqetësimi lindi nga dy faktorë: telefoni mbahet gjatë pranë kokës dhe valët e radiofrekuencës, nëse janë intensive, mund të ngrohin indet. Studimet e vjetra që nxisnin panikun bazoheshin kryesisht në vetë-raportim – metodë jo e besueshme, sepse pacientët e diagnostikuar me tumor priren të mbivlerësojnë kohën e përdorimit, ndërsa personat e shëndetshëm jo.
Çfarë ndodh me klasifikimin e IARC?
Bazuar pikërisht në ato studime të vjetra, në 2011 Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) e OBSH-së i klasifikoi fushat elektromagnetike të radiofrekuencës si “ndoshta kancerogjene” – Grupi 2B. Ky është i njëjti grup ku bëjnë pjesë aloe vera dhe turshitë, pra do të thotë “nuk mund ta përjashtojmë plotësisht, por nuk kemi prova”. Që atëherë, qindra studime nuk kanë gjetur asnjë provë bindëse dhe klasifikimi pritet të rishqyrtohet.
OBSH ka porositur tashmë pjesën e dytë të rishikimit, e cila do të hetojë lidhjen e mundshme me leuçeminë, limfomën jo-Hodgkin dhe shëndetin riprodhues. Rishikimet e deritanishme për fertilitetin mashkullor kanë përjashtuar lidhjen me rënien e numrit të spermës, ndërsa për peshën e ulët të lindjes te të porsalindurit është vërejtur një lidhje vetëm në kontekste me ekspozim jashtëzakonisht të lartë, përtej niveleve të konsideruara të sigurta.
Përgatiti: L.Veizi
