Të vendosni buzëkuqin në mënyrën e duhur është një nga ato aftësi të bukurisë që ia vlen ta zotërosh. Mund të duket si diçka e thjeshtë, por mënyra si e aplikon, mjeti që përdor dhe mënyra si ndërton ngjyrën mund të bëjnë një ndryshim të madh në pamjen përfundimtare.
Aplikimi direkt nga buzëkuqi është i shpejtë dhe jep më shumë ngjyrë, ndërsa një penel i posaçëm për buzët ofron më shumë saktësi. Nëse preferon një pamje më të butë, mund ta vendosësh ngjyrën duke e prekur lehtë me majat e gishtave, për një efekt më të shpërndarë.
“E bukura e buzëkuqit sot është se nuk bëhet më fjalë për përsosmëri”, thotë artistja e grimit dhe themeluesja e Jones Road, Bobbi Brown. Sipas saj, tendenca është drejt një pamjeje më të çlirët dhe natyrale.
Me kaq shumë kombinime të bukura për buzët që po shohim këtë vit, ia vlen të rikthehemi te bazat. Ja këshillat e artistëve të grimit për të zgjedhur ngjyrën më të përshtatshme, për ta aplikuar saktë dhe për të shmangur përhapjen e saj përtej kontureve të buzëve.

Cila është mënyra më e mirë për të vendosur buzëkuqin?
“Në përgjithësi, mënyra më e mirë është ta aplikoni direkt nga buzëkuqi”, thotë artistja ndërkombëtare e grimit Lan Nguyen-Grealis. Falë formulave të ndryshme dhe aplikatorëve të krijuar posaçërisht, nuk është e nevojshme të kaloni shumë kohë për të arritur një rezultat të njëtrajtshëm.
Nëse dëshironi një pamje më të butë, ajo sugjeron ta aplikoni buzëkuqin duke e prekur lehtë me gisht.
Por, pavarësisht mënyrës që zgjidhni, përgatitja e buzëve është thelbësore, sidomos nëse dëshironi që ngjyra të zgjasë gjatë.
Përpara se të vendosni buzëkuqin, sigurohuni që buzët të jenë të lëmuara. Hiqni me delikatesë lëkurën e thatë dhe aplikoni një balsam hidratues, duke i dhënë pak kohë të përthithet.
Më pas, vizatoni konturin e buzëve me laps dhe mbushini lehtë me të njëjtin laps. Vendoseni buzëkuqin duke nisur nga qendra e buzëve dhe duke u drejtuar nga anët.
Në fund, shtypini buzët lehtë me një facoletë për të hequr tepricën, aplikoni një shtresë të dytë nëse dëshironi më shumë intensitet dhe rregulloni skajet me një shkopth pambuku ose pak korrektor.
Për një pamje më të çlirët, Bobbi Brown sugjeron një teknikë edhe më të thjeshtë: aplikojeni buzëkuqin fillimisht në buzën e poshtme, bashkoni buzët dhe më pas shpërndajeni ngjyrën me gishta.
Kjo përputhet me mënyrën më natyrale dhe më pak të rregullt se si po përdoret buzëkuqi sot. Megjithatë, kur zgjidhni ngjyra të forta, nevojitet më shumë kujdes dhe saktësi në aplikim.

Si të zgjidhni ngjyrën perfekte të buzëkuqit?
Nuk ka rregulla të prera për të gjetur ngjyrën ideale. Nëse ju pëlqejnë buzët me ngjyra të forta, nuk është e thënë që nuanca duhet të përputhet patjetër me ngjyrën e lëkurës. Nëse ju pëlqen, është ngjyra juaj.
Bobbi Brown sugjeron t’i kushtoni më shumë vëmendje ngjyrës natyrale të buzëve sesa tonit të lëkurës. Sipas saj, një buzëkuq që i afrohet ngjyrës natyrale të buzëve mund të duket veçanërisht harmonik.
Nëse dëshironi të ndryshoni pak pamjen, nisuni nga ngjyra juaj natyrale dhe provoni një nuancë rreth dy tone më të errët ose më të çelët.
Dhe mos u mbështetni vetëm te ngjyra që shihni në pjesën e pasme të dorës. Më mirë provojeni buzëkuqin pranë buzës së poshtme dhe shiheni në dritë natyrale. E njëjta nuancë mund të duket krejt ndryshe nga një person tek tjetri.

A është më mirë të përdorni penel për buzët?
Varet nga pamja që dëshironi të krijoni.
Nëse kërkoni një rezultat shumë të saktë, me konture të pastra, një penel për buzët ju jep më shumë kontroll dhe ju lejon ta ndërtoni ngjyrën gradualisht.
“Përdorimi i penelit jep një rezultat më të përcaktuar dhe më shumë saktësi”, shpjegon Nguyen-Grealis. Ajo sugjeron të nisni nga qendra e buzëve dhe të punoni drejt pjesëve anësore, duke përdorur majën e penelit për të mbushur me kujdes cepat dhe për të përcaktuar harkun e buzës së sipërme.
Megjithatë, të dyja artistet e grimit bien dakord për një gjë: peneli nuk është i domosdoshëm.

Buzëkuqi direkt nga ambalazhi ju lejon ta aplikoni shpejt dhe të merrni më shumë ngjyrë. Sipas Brown, buzëkuqi modern duhet të duket i çlirët dhe natyral, ndaj peneli mbetet një zgjedhje, jo një detyrim.
Cila është mënyra më në modë për ta mbajtur buzëkuqin tani?
“Jemi të gjithë të fiksuar pas epokës së supermodeleve dhe buzëve të viteve ’90”, thotë Brown, duke veçuar veçanërisht nuancat kafe si një mënyrë moderne për të mbajtur një ngjyrë neutrale.
Ajo preferon tonet kafe me nuanca rozë dhe një përfundim kremoz mat. Por ajo që e bën këtë pamje të duket moderne është mënyra e butë e përcaktimit të buzëve.
Në vend që të vizatoni një kontur shumë të dukshëm jashtë vijës natyrale të buzëve, siç bëhej shpesh në vitet ’90, aplikoni fillimisht buzëkuqin dhe më pas përdorni lapsin për t’i dhënë formë buzëve në mënyrë më të butë dhe natyrale.

Edhe Nguyen-Grealis e sheh trendin aktual si një rikthim të viteve ’90, por me një ndryshim të rëndësishëm: ajo sugjeron të zgjeroni shumë lehtë harkun e buzës së sipërme për t’i dhënë përshtypjen e buzëve më të plota dhe më pas të vendosni një nuancë më të çelët në qendër.
Ideja është të shmangni kontrastet e forta dhe vijat e theksuara, duke krijuar në vend të tyre një efekt të butë, të skalitur dhe gradual./k.m
